Petkoviq me Stijaçiqin dhe Gotijen: Prishtina pengon procesin e kërkimit të personave të zhdukur

Petković, Stijačić, Gotije i Odalović
Burim: Kancelarija za KiM

Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka takuar sot shefen e delegacionit rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Beograd, Jellena Stijaçiq dhe koordinatoren për mbrojtje dhe kryesuesen e Grupit Punues për Persona të Zhdukur, Orelli Gotije, dhe në takim mori pjesë edhe Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq.

Siç thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovë e Metohi, Petkoviq i njoftoi bashkëbiseduesit se Beogradi dhe Prishtina kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur më 2 maj në Bruksel, që është mbi të gjitha çështje civilizuese me rëndësi të jashtëzakonshme për të cilën Beogradi ka insistuar për më shumë se dy vjet.

“Fatkeqësisht, Prishtina me vite e ka penguar këtë proces dhe ka shmangur lejimin e kontrollit të nëntë lokacioneve për të cilat Beogradi ka njohuri të bazuara për fshehjen e eshtrave të serbëve të vdekur gjatë konfliktit në Kosovë. Nga ana tjetër, Beogradi deri më tani ka mundësuar kërkimin e 23 lokacioneve që Prishtina i ka shënuar si relevante”, ka thënë Petkoviq.

Petkoviq para bashkëbiseduesve theksoi domosdoshmërinë e rritjes së aktivitetit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq me qëllim të fillimit sa më të shpejtë të funksionalizimit të kësaj Deklarate dhe bërjes së hapave të parë në zbatimin e saj.

Ai theksoi se është shumë e nevojshme që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili edhe kryeson Grupin Punues për Persona të Zhdukur, të bëjë përpjekje për të zhbllokuar atë proces dhe për të ushtruar ndikimin e nevojshëm në Prishtinë për të përmbushur obligimet e pranuara.

“Është e rëndësishme që procesi i kërkimit të të zhdukurve të funksionojë sa më shpejt për hir të familjeve të të zhdukurve dhe ndërtimit të paqes dhe bashkëjetesës paqësore në territorin e Kosovës e Metohisë”, ka shtuar Petkoviq.

Petkoviq shprehu pritjet se Prishtina, së paku në këtë fushë, do të pushojë me pengimet dhe se më në fund do të zhbllokohet procesi i kërkimit të të zhdukurve gjatë konfliktit në Kosovë e Metohi.