Petkoviq: Jemi të shqetësuar për zhvillimin e mëtejshëm të situatës në Kosovë e Metohi, Kurti nuk dëshiron paqe
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka theksuar se pas takimit të djeshëm në Bruksel dhe refuzimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit për të diskutuar për BKS-në, është i shqetësuar se si do të zhvillohet situata në Kosovë.
Petkoviq tha se kjo ishte përshtypja e parë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Gjuzepe Borel, i cili tha se është i shqetësuar për rrugët e hapura për kriza të reja në veri të Kosovës.
Petkoviq shtoi se normalizimi i marrëdhënieve dhe diskutimet për këtë pothuajse nuk ekzistojnë.
“Nga ana e Prishtinës ka mohim të gjithçkaje që është rënë dakord për marrëveshjet për BKS-në. E dëgjuam Kurtin dje duke thënë se nuk ka ekip menaxhues për të, dhe se ai nuk ka asnjë rol, edhe pse ka një marrëveshje e ndarë për mandatin e tij. Ekipi menaxhues ka katër anëtarë, në mbledhje ishin dy zonja të cilat në mënyrë profesionale prezantuan draft statutin të krijuar gati pesë vite më parë. Gjatë gjithë kohës gjatë prezantimit të tyre Kurti qeshte me Bislimin, ka penguar prezantimin, duke u përpjekur për të nënçmuar ato dy zonja të mrekullueshme. Kaq urrejtje për gjithçka që është serb është e pabesueshme. Ai nuk është i gatshëm të pajtohet për asgjë, nuk është i interesuar të formojë BKS-në", theksoi Petkoviq.
Siç shtoi ai, Ekipi Menaxhues kishte katër muaj në 2018 për të përgatitur dokumentin, i cili është bërë me përkushtim, dhe i cili bazohet në katër marrëveshje nga Brukseli.
“Pala jonë i përmbahet dokumenteve të nënshkruara. E shihni lloj hipokrizie, na kërkojnë të respektojmë diçka që nuk është nënshkruar, edhe pse presidenti e ka bërë të qartë se cilat janë vijat tona të kuqe dhe nga ana tjetër kemi katër marrëveshjet e nënshkruara për të cilat Prishtina është zotuar dhe nuk do t'i zbatojnë, për të mos përmendur se nënshkrimi i BE-së është vendosur edhe në marrëveshjen e Brukselit”, tha Petkoviq.
Ai theksoi se Kurti nuk dëshiron paqe, marrëveshje të reja dhe as BKS.
“Që kur ka ardhur në pushtet, ai përsërit se nuk e dëshiron formimin e BKS-së. Është e nevojshme për ne, sepse ajo paraqet mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve në Kosovë e Metohi. Kurti dëshiron të dëbojë popullin serb, prandaj ne po shkojmë nga kriza në krizë”, tha Petkoviq.
Sipas tij, Serbia nuk do të lejojë që BKS të jetë në nivel të një organizate joqeveritare, duke shtuar se ka 10 vite që lufton për formimin e saj.
Petkoviq thekson se pika e tretë e bisedimeve të djeshme kishte të bënte me situatën në terren pas “zgjedhjeve antidemokratike në veri të Kosovës”.
“Kemi pasur zgjedhje në të cilat kanë dalë 3.4 për qind e popullit, 1500 shqiptarë dhe 13 serbë, dhe tani situata është e tillë që shqiptarët janë zgjedhur kryetarë komunash. Tani ka një afat deri më 28 maj, nga momenti i shpalljes së rezultatev të zgjedhjeve nga KQZ deri në momentin kur duhet të marrin detyrën. Të gjitha këto janë situata që tani hapin pyetje të reja, dilema të reja të sigurisë po dalin para nesh. Nga ajo anë BE-ja propozoi një zgjidhje tranzitore, të cilën Kurti e refuzoi dhe pala jonë pranoi, sepse për ne është e rëndësishme të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha Petkoviq.
Ai u tha qytetarëve të Serbisë dhe popullit të Kosovës se sado e vështirë dhe e dhimbshme të jetë biseda me Kurtin, paqja dhe jeta e serbëve në Kosovë duhet të ruhet.
“Kjo është e rëndësishme, çdo gjë tjetër nuk ka kuptim, nuk ka të ardhme, dhe nëse nuk kemi dialog, nëse jemi në qorrsokakun ku na udhëhoqi Albin Kurti, si mund të flasim për të ardhmen dhe kompromis”, pyeti Petkoviq.
Ai ka theksuar se i takon BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë presion mbi Prishtinën.
“Epo, të shohim nëse ai do t'i shikojë gjërat ndryshe, sepse pa bisedë dhe me këtë sjellje represive të Albin Kurtit, nuk shoh se si mund të ecim përpara, dhe nuk shoh se si mund të flasim për kompromis, sepse kjo është fjalë e ndaluar në Prishtinë”, ka përfunduar Petkoviq.
komentet