Petkoviq pas takimit në Bruksel: Zgjidhja duhet të gjendet në nivel politik

Negociatori kryesor i Sërbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq theksoi se takimi i sotëm ishte i vështirë dhe shtoi se Beogradi dhe prezenca e tij dëshmon se është i gatshëm që problemet të zgjidhen me dialog dhe se si palë përgjegjëse, Sërbia do të bëjë gjithçka që të shkohet deri në zgjidhjen përmes bisedimeve në Bruksel.
Ai pas takimit me përfaqësues të BQK në Bruksel, ka thënë se delegacioni i Beogradit në mënyrë të përgjegjshme dhe argumentueshëm ka treguar për vendimin katastrofal të kryeministrit kosovar Albin Kurti që të ndalojë dinarin e pas kësaj të ndalë edhe pagat, pensionet dhe asistencën sociale për 100.000 sërbë dhe komunitete të tjera që jetojnë në Kosovë.
"Delegacionin që e kryesoja përbëhej nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Kursimeve Postare", ka thënë Petkoviq.
Ky i fundit ka thënë se Beogradi me prezencën e vet ka treguar seriozitet dhe synim për të gjetur zgjidhje në raport me negociatorin e Kosovës Besnik Bislimi i cili nuk ishte.
Thekson se është e qartë se vendimi i njëanshëm i qeverisë në Prishtinë dhe i BQK, nënkupton gjetjen e zgjidhjes që kërkon bisedime të nivelit politik.
"Për këtë jam sot prezent dhe që kam qenë, por nuk ishte i pranishëm zoti Bislimi. Pasojat e vendimit të tillë të njëanshëm janë politike dhe ndikojnë në mbijetesën e popullit sërb në K&M. Kur Bislimi thotë se nuk duhet të vijë në Bruksel pasi çështja e dinarit nuk është temë për dialog, unë do t'ju them se dinari dhe sistemi i pagesave të Republikës së Sërbisë nuk janë diskutuar deri më tani në dialog. Por meqënëse ky vendim godet direkt jetën e sërbëve në K&M, shkel vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Sigurisht që rreth kësaj do të diskutohet në Bruksel. Po ku do të bisedohet atëherë nëse jo këtu”, pyeti Petkoviq.
Ky i fundit shtoi se për këtë është e rëndësishme të tregohet vendosmëria e plotë dhe në mirëbesim të diskutohet rreth kësaj teme.
“Për këtë ne erdhëm me delegacionin tonë edhe të arsyetuar edhe argumentuar duke treguar pasojat dhe përmasat katastrofike të këtyre vendimeve që u morën në Prishtinë pa asnjë arsye. Pra dihet se arsyeja tyre e vërtetë, është dëbimi i popullit sërb nga hapësira e K&M”, ka shtuar Petkoviq.
Siç shton ky i fundit në diskutim me përfaqësuesit e BQK, është dëgjuar se Banka Komerciale ka më shumë llogari sesa Banka e Kursimeve Postare çka sipas tij nuk është e saktë.
“Gati 55 mijë llogari përdoruesish në Bankën e Kursimeve Postare përmes të cilave kalon gjithçka që ka të bëjë me pagesat e ndryshme që kanë lidhje me shpenzimet materiale ndaj institucioneve, por edhe paga, pensione, asistenca sociale, bursa etj. Kjo tregon qartë se nuk egziston arsye e vërtetë e BQK dhe se nuk i dinë të gjitha detajet lidhur me transfertat e pagesave të Sërbisë, por është vendim politik”, tha Petkoviq.
Ky i fundit bëri të ditur se Beogradi, si palë përgjegjëse, do të bëjë gjithçka që të shkohet drejt zgjidhjes në Bruksel dhe theksoi se veçanërisht kanë insistuar që pjesët e diskutueshme të rregullores të hiqen, por edhe që Banka e Kursimeve Postare duhet të vazhdojë të funksionojë në Kosovë.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për popullin çka për ne është më e rëndësishme, por edhe për institucionet, shkollat, spitalet, kopshtet, sepse nëse nuk kanë mundësi të kenë të ardhura për të paguar energjinë elektrike dhe shpenzimet e tjera, shtrohet çështja. si do të mbijetojnë ata të paguajnë ngrohjen dhe shpenzimet e tjera materiale”, theksoi ai.
Petkoviq ka theksuar se sot në Bruksel janë vënë në lëvizje të gjitha çështjet urgjente dhe është treguar këmbëngulje në gjetjen e zgjidhjes që sërbët në Kosovë të marrin paga, pensione dhe asistencë sociale.
"Insistuam se zgjidhja duhet gjetur sa më parë. Ndodhemi në prag të marsit, njerëzit duhet të marrin pagat e shkurtit, nëse Kurti i ndal ato, shtrohet çështja se si do t'i marrin pagat njerëzit", tha ai.
Petkoviq theksoi se duhet gjetur zgjidhje e qëndrueshme që nuk do të kërcënojë mbijetesën e popullit sërb në Kosovë dhe që do të mundësojë vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme. “Gjithçka kjo që po bën Kurti tregon se ai nuk dëshiron të formojë BKS, me ndalimin e dinarit ai ndërpret funksionimin e institucioneve të Republikës së Sërbisë në K&M të cilat paraqesin bazën për formimin e BKS. Dhe në bisedat me Llajçakun dhe bilateralisht me përfaqësues të BE, si dhe pas takimit tripalësh të ekspertëve tanë me përfaqësues të Prishtinës, kemi thënë të gjitha problemet. Llajçaku dhe unë erdhëm në qëndrim të përbashkët se zgjidhja e vendimit të njëanshëm të Prishtinës kërkon nivel politik. Kështu që kur Bislimi flet se nuk ka çfarë të diskutojë, por do të dërgojë njerëz në nivel ekspertësh, ata nuk mund të zgjidhin asgjë, ne jemi këtu, sepse Brukseli është vendi i zgjidhjeve të problemeve. Pres vazhdimin e bisedës për këtë çështje dhe sapo të vijë ftesa e re nga Llajçaku, ne do të përgjigjemi”, tha Petkoviq.
Ky i fundit theksoi se çështja kyçe është domosdoshmëria qëndrimit dhe mbetjes së shërbimeve të Bankës së Kursimeve Postare si në veri ashtu dhe në jug të Ibrit, pasi kjo është mënyra e vetme për të siguruar që sërbët të marrin pagat e tyre.
“Shteti i Sërbisë do të bëjë gjithçka në këtë mënyrë apo tjetër për t'i mundësuar popullit sërb në K&M pagat”, konkludon Petkoviq.
0 komentet