Petkoviq: Prishtina ka dashur të fsheh faktin se policia e Kosovës ka vrarë brutalisht serbët në Banjskë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka deklaruar sot se EULEX-i nuk ka marrë pjesë në hetimin në Banjskë, sepse policia e Kosovës ka dashur të fsheh faktin se serbët janë vrarë brutalisht atje.
Në konferencën për media, Petkoviq shtoi se dëshiron të informojë opinionin vendor dhe ndërkombëtar për atë që ka ndodhur në Banjskë dhe pse EULEX-it iu refuzua të merrte pjesë në hetimin e ngjarjeve tragjike.
Ai ka pyetur edhe pse të gjithë heshtin dhe askush përveç presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk po flet për këtë.
“Pse EULEX-i nuk ka bërë një njoftim”, pyeti Petkoviq.
Ai tha se Serbia e ka marrë vesh dhe ka dëshmitarë se Bojan Mijailloviq është vrarë brutalisht gjakftohtë, pasi u plagos dhe pasi u dorëzua.
Petkoviq ka thënë se këtë kanë dashur ta fshehin kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Zhelal Sveçla dhe ka shtuar se Serbia për këtë ka prova. Ai theksoi se prandaj është e rëndësishme që një komision i pavarur ndërkombëtar dhe ekspertë, së bashku me patologët serbë, të ekzaminojnë trupat dhe të bëjnë autopsinë.
Siç ka deklaruar, policia e Kosovës ka katër ditë që po tenton t'i fshehë trupat.
Ai theksoi se ka edhe një gjë tjetër për të cilën Sveçla dhe policia e Kosovës nuk e lejojnë EULEX-in të marrë pjesë në hetim, e ajo është të mos shihet, siç tha ai, se cilët shqiptarë kanë marrë pjesë në vrasjen brutale të serbëve në Banjskë, sepse edhe për këtë ka deklarata të dëshmitarëve të mbrojtur.
Kërkesa e vetme e Serbisë, shtoi ai, është një kërkesë që ekziston prej një viti - që KFOR-i të jetë prezent në veri, të tërheqë policinë e Kosovës, të cilën serbët në veri e perceptojnë si okupim.
Ai po ashtu tha se autoritetet e Prishtinës kanë gënjyer për shumë gjëra, që nga pretendimet për Millan Radoiçiqin e deri te fakti se ishte nisur një ushtri që nuk ishte as në nivelin e gatishmërisë së lartë luftarake.
“Serbia kërkon një hetim të pavarur dhe që patologët serbë të ekzaminojnë të gjitha trupat”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se familja do t'i identifikojë trupat, dhe se Bojan Mijailloviq ishte "fjalë për fjalë i gjymtuar" dhe se ishte e qartë se ai u vra nga një distancë e afërt.
Sipas tij, në veri nuk ka pasur polici apo organe të rendit, por bëhet fjalë për bandat që kanë shkuar për të vrarë të gjithë serbët.
Siç ka thënë, për çdo gjë ai ka biseduar me zyrtarë ndërkombëtarë, përfshirë edhe përfaqësuesin special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe siç ka theksuar, i ka dërguar një letër shefit të Misionit të EULEX-it në lidhje me përcaktimin e rrethanave të vdekja e tre personave me kombësi serbe.
komentet