Petkoviq: Pushtimi i veriut ka filluar, Vuçiq ka folur me Lajçakun

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se sot zyrtarisht ka filluar pushtimi i veriut të Kosovës nga Albin Kurti, duke thënë se është e papranueshme që komuna e Mitrovicës së Veriut të udhëhiqet nga dikush që ka fituar 553 vota.

Petkoviq foli në një konferencë për media pas betimit të Erden Atiqit sot në Mitrovicën e Veriut, duke u bërë kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut dhe siç theksoi ai, biseda mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak është duke vazhduar.

“Ajo pëlhurë që e kanë ekspozuar në ndërtesën e komunës nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Ajo do të qëndrojë atje dhe do të zgjasë për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë. Në njëqind vitet e fundit ka shumë flamuj pushtues që janë valëvitur në Kosovë e Metohi, dhe të Musollinit dhe Rajhut të Tretë, por të gjithë u mundën nga trengjyrëshi serb, kështu do të jetë edhe këtë herë”, tha Petkoviq.


Ai theksoi se autoritetet në Prishtinë, në krye me Kurtin, duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe Metohia, dhe për të provokuar më hapur luftën.

“Vuçiq e paralajmëroi Lajçakun për të gjitha pasojat e sjelljes së Kurtit dhe incidente që mund të kthehen në krizën më të madhe deri më tani”, tha Petkoviq.

Siç theksoi ai, aty ku jeton 98 për qind e popullit serb, zgjedhjet që janë mbajtur nuk mund të jenë legjitime.

"Turp për Kurtin dhe për komunitetin ndërkombëtar që i mbështeti këto zgjedhje. Ata treguan se nuk i intereson demokracia dhe parimet demokratike. Dhe njoftimi i sotëm i Quintit që thotë se të dyja palët duhet të punojnë për normalizim, tregon se Kurti po i bën të gjitha këto sepse ai ka mbështetje të dukshme”, tha ai.


Petkoviq e porositi se Serbia do të qëndrojë pranë popullit të saj më 1 qershor, derisa serbët t'i caktojnë afat edhe ndërkombëtarëve edhe Kurtit që të ndalojnë provokimet, arrestimet, ndalimin e veturave me targa KM, të shtënat në njerëz të pafajshëm, shpronësimet.

Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri, e as policia e Kosovës”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka bërë të ditur se Predrag Millanoviq, minator i cili punonte në turnin e tretë në minierën e Crnacit dhe ishte nisur për në shtëpi, është ndalur sot në urën e Bistricës.

Ia kanë hequr targat KM dhe i kanë shkruar gjobën prej 150 euro. Sot ka filluar një fazë e re e vendimit të kundërligjshëm të Kurtit për riregjistrim, për të cilin ai nuk ka të drejtë”, tha Petkoviq.

Ai konstaton se kjo është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, të cilat, kujton ai, i kanë theksuar edhe Derek Sholle dhe Petar Stano.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari për të sqaruar se policia e Kosovës nuk ka të drejtë të jetë në veri të Kosovës, Petkoviq tha se e kishte fjalën për shqiptarët në policinë e Kosovës dhe njësinë speciale ROSU, e cila sipas marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve e garancive tjera, Kfor-i nuk ka çfarë të pretendojë në veri.

“Është e qartë se përgjegjësia e KFOR-it dhe EULEX-it qëndron në vakumin e sigurisë që është krijuar që nga largimi i serbëve nga institucionet, por edhe para kësaj, që kur Kurti filloi të ndërtojë baza në veri duke marrë ilegalisht tokën serbe. E gjithë kjo, së bashku me mos formimin e BKS-së, ishte arsyeja që serbët të largoheshin nga institucionet. Ata nuk kanë të drejtë të jenë aty e aq më pak të ngacmojnë popullin serb”, tha Petkoviq.

I pyetur për afatin e dhënë nga serbët, gjegjësisht 1 qershorin, Petkoviq tha se serbët duan t'i japin komunitetit ndërkombëtar dhe Kurtit një kohë të caktuar që të ndalojnë ngacmimet ndaj serbëve në Kosovë.

“Pas kësaj do të vijë përgjigja e tyre, ne jemi me popullin tonë dhe do të mundohemi të ruajmë paqen dhe të bëjmë gjithçka për të parandaluar një konflikt, por çfarë bëni kur në anën tjetër keni Kurtin që dëshiron luftë dhe të dëbojë Serbët nga Kosova”, ka shtuar ai.

Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë garancie mund të presin serbët nga bashkësia ndërkombëtare, Petkoviq thotë se është konfirmuar se Kurti nuk dëshiron të formojë BKS dhe se dëshiron të bëjë krizë apo luftë në veri të Kosovës.

“Duket e çuditshme që po e bën i vetëm dhe se i lejohet të hyjë vetëm në këto aventura. Është e qartë se po përballemi me kohë të vështira, përgjegjësia është e bashkësisë ndërkombëtare që ta ndalë Kurtin sepse çdo gjë që ndodh në veri, Zoti na ruajtë, përgjegjësia do të jetë mbi ata që e lejuan”, tha Petkoviq.