Petkoviq: Për serbët në Kosovë viti 2025 ishte jashtëzakonisht i vështirë, Beogradi nuk do të heqë kurrë dorë nga populli i vet
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, deklaroi se viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për serbët në Kosovë dhe theksoi se Beogradi nuk do të heqë kurrë dorë nga populli i vet dhe se do të luftojë në çdo vend, në çdo hap, financiarisht dhe politikisht, në dialog dhe në biseda me të gjithë, duke vënë vazhdimisht në pah problemet me të cilat përballen serbët në Kosovë, shkruan TV Most.
Petkoviq falënderoi popullin serb në Kosovë për faktin se, siç theksoi ai, dëgjuan zërin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thirrjen e shtetit të tyre dhe në numër të madh iu përgjigjën dhe dolën në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Në ato zgjedhje, kur flasim për zonat me shumicë serbe, Lista Serbe fitoi bindshëm, gjë që konfirmoi, në fakt, atë që të gjithë e dimë – se përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit serb në Kosovë dhe Metohi është Lista Serbe”, tha Petkoviq.
Ai theksoi se kjo është shumë e rëndësishme, sepse tregon se çështja e unitetit, harmonisë dhe forcës së popullit serb mishërohet para së gjithash në Listën Serbe, pavarësisht gjithçkaje që u ka ndodhur serbëve, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë gjithë këtyre viteve sa Albin Kurti ka qenë në pushtet.
“E gjithë kjo nuk arriti t’ia thyejë shtyllën kurrizore popullit serb në Kosovë dhe Metohi, por përkundrazi, ndaj gjithë atij terrori, arrestimeve, incidenteve dhe sulmeve, serbët u përgjigjën me unitet edhe më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Gjatë gjithë kohës shteti i Serbisë ka qenë pranë popullit të vet dhe kjo është për ne më e rëndësishmja, sepse vetëm kështu, kur shteti dhe populli janë bashkë, kur aty është Lista Serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe si shtyllë e mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe Metohi, sigurohet edhe e ardhmja e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi Petkoviq.
Ai i uroi popullit serb në Kosovë festat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri, me dëshirën që në vitin e ri 2026 të hyjnë me më shumë optimizëm dhe shpresë për një të nesërme më të mirë.
“Të gjitha familjeve në Kosovë dhe Metohi u uroj shëndet të mirë, lumturi, paqe dhe përparim; që në shtëpitë serbe dhe në mjediset serbe të lindin edhe më shumë fëmijë; që të mblidhemi rreth institucioneve tona, rreth nënës sonë – Kishës, rreth faltoreve tona – dhe që, së bashku me shtetin e Serbisë, duke luftuar çdo ditë për një të nesërme më të mirë, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, sepse ky është parakushti dhe mënyra e vetme për t’u përballur në fund me të gjitha vështirësitë me të cilat përballet populli ynë në Kosovë dhe Metohi”, porositi Petkoviq.
Siç tha ai, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për popullin serb në Kosovë dhe nuk do të jetë e lehtë as në periudhën e ardhshme.
“Populli ynë është mësuar të jetojë dhe të luftojë, prandaj, duke ditur se shteti i Serbisë dhe presidenti Vuçiq janë pas tyre dhe përpara tyre, besoj se gjithçka do të jetë shumë më e lehtë. Edhe një herë, qofshi gjallë!”, përfundoi Petkoviq.
0 komentet