Petkoviq: Si pasojë e mossuksesit në KE, Kurti vijon me veprime të tjera të njëanshme me qëllim shkaktimin e kaosit

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi Petar Petkoviq ka thënë se behja e policisë kosovare në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare në Kosovë është një akt më shumë i dhunshëm në heqjen e institucioneve sërbe në veri dhe dëbimin e popullit sërb.

"Me urdhër personal të Albin Kurtit policia në orën 15.15 ka behur në të tre filialet e Bankës së Kursimeve Postare dhe Drejtorinë e Thesarit në të katër komunat në veri të Kosovës. Kurti priti të kalonte dialogu dhe pasi përjetoi mossuksesin për rastin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, u hodh në veprim të ri të njëanshëm ku ka për synim shkaktimin e trazirave dhe kaosit”, theksoi Petkoviq.

Ky i fundit shtoi se është e qartë se “piromani ballkanas Albin Kurti” dëshiron luftë dhe vuajtje të popullit sërb, sepse gjithçka që ka bërë në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të sërbëve nga hapësira e Kosovës.

Kujtoi se deri më tani janë mbajtur shtatë takime në Bruksel për temën e dinarit, por që pala prishtinase nuk ka dëshiruar të pajtohet për asgjë ndonëse Beogradi ka dalë me propozime të ndryshme konstruktive, të cilat janë vlerësuar kaq shumë në Perëndim.

“Tani është e qartë se përgjatë gjithë kohës kanë simuluar praninë dhe pjesëmarrjen në dialog, sepse prisnin të shpërbleheshin në Këshillin e Europës. Dhe meqënëse përjetuan mossukses, është e qartë se qëllimi kryesor dhe vendimi për shfuqizimin e dinarit, nuk është vetëm ndalimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale, heqjen e shpenzimeve materiale për institucionet tona sërbe në Kosovë e Metohi, si spitalet, shkollat ​​dhe kopshtet, por synimi është mbyllja e Bankës së Kursimeve Postare. Që të mbyllin të pesë filialet të cilat janë hapur në vitin 2018. Banka ka 89 punëtorë”, tha Petkoviq.

Ky i fundit ka raportuar se, sipas informacioneve nga terreni, Policia Kosovare ka bastisur të gjitha ambjentet ku vijon të mbajë ilegalisht dhe dhunshëm të punësuarit ku ndodheshin në to në momentin e bastisjes.

“Këtu nuk është fjala vetëm për heqjen e dinarit, por për dëbimin e popullit sërb dhe mbylljen e institucioneve sërbe në veri të Kosovës e Metohisë”, nënvizoi Petkoviq.

Ky i fundit theksoi dhe se në kohën e bastisjes së Policisë Kosovare në filialet e Bankës së Kursimeve Postare nuk kishte dinarë.

“Nëse doni dhe nga këndvështrimi i tyre, nuk kishte asnjë bazë që ata të bastisnin degët dhe në këtë mënyrë të mbyllnin institucionet tona”, shtoi Petkoviq.

Ky i fundit theksoi se Kurti nuk dëshiron asnjë marrëveshje apo zgjidhje që do të përfitonte popullin sërb në Kosovë, ashtu sikurse gjatë gjithë kohës në Bruksel Besnik Bislimi aktronte se donte të arrinte ndonjë marrëveshje dhe të gjente zgjidhje, pasi nga takimi në takim-refuzoi të gjitha propozimet e Beogradit.

“Asgjë nuk dëshironte të pranonte, madje as kur i ofruam të paguajmë në euro, të formojmë sipërmarrje të re biznesi... Gjithçka i refuzonte sepse priste vetëm momentin kur të mblidhej Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës për të filluar me mbylljen e institucioneve sërbe, e në këtë rast Bankën e Kursimeve Postare dhe Thesarit, por edhe Postën e Sërbisë. Është e qartë se ky njeri nuk dëshiron dialog dhe zgjidhje, por persekutim të sërbëve”, tha Petkoviq.

Ky i fundit ka thënë dhe se në gjashtë muajt e fundit nuk ka pasur gjëra që do të ishin në favor të sërbëve në Kosovë.

"Nuk ka. Vetëm sulme ndaj sërbëve, vetëm vendime antisërbe, me qëllim destabilizimin e veriut të Kosovës", tha drejtori i Zyrës për K&M.

Petkoviq nënvizoi se kjo është shkelje e dialogut, sulm i paligjshëm ndaj institucioneve sërbe, për të cilin do t'i informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Fatkeqësisht, disa prej tyre e mbështesin Kurtin në këto përpjekje, sepse po të mos e përkrahnin, ne do të kishim arritur marrëveshje më herët pasi propozimet që i kemi ofruar kanë qenë shumë korrekte, shumë të përshtatshme dhe paraqitnin kompromis-të ishte mirë si për njërën dhe për tjetrën palë. Megjithatë, kur është fjala për paqen, stabilitetin, atë nuk e dëshiron Kurti. Ai dëshiron vetëm trazira, vuajtje të popullit sërb dhe dëbimin e çdo gjëje sërbe nga hapësira e Kosovës dhe Metohisë” tha Petkoviq.

Ky i fundit ka thënë se do të flasë me të dërguarin e BE për dialog Mirosllav Llajçak, dhe se do të ftojë edhe përfaqësuesit e Pesëshes ku do t'i informojë të gjithë në skenën ndërkombëtare për paligjshmërinë dhe terrorin e Kurtit.

"Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të re, kaq eskaluese. Por bëhet fjalë rreth sulmit të dhunshëm ndaj vetë dialogut, sepse pikërisht çështja e dinarëve dhe zgjidhja e fatit të Bankës së Kursimeve Postare është bërë pjesë integrale e dialogut. Por këtë Kurti e shemb, sepse kjo nuk i vjen përshtat” shtoi ai.

Është e qartë se nuk ka paqe me Prishtinën, e cila nuk dëshiron të pajtohet rreth asgjëje, por dëshiron vetëm të zbatojë dhunshëm politikën e vet antisërbe, konkludoi Petkoviq.