Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e NPK “Vodovod Ibar” në Mitrovicën e Veriut

Kosovska policija
Burim: Kosovo Online

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe inspektorë civilë bastisën zyrat e NPK-së "Vodovod Ibar" në Mitrovicën e Veriut, e cila vepron sipas sistemit serb.

Para hapësirave të kësaj ndërmarrjeje ndodhen disa automjete të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, para ndërtesës ndodhen punëtorë që po vendosin pllakatën të Ujësjellësit Rajonal që gjendet në Shipol të Mitrovicës së Jugut.

Bashkim Kurti, drejtor ekzekutiv i ujësjellësit rajonal që ndodhet në Shipol të Mitrovicës së Jugut, tha se qëllimi i “vizitës në veri ishte që të bisedohej me kolegët”.

„Ne, si ujësjellës rajonal i Mitrovicës, jemi institucioni i vetëm i licencuar për ofrimin e shërbimeve të ujit dhe kanalizimit në rajonin e Mitrovicës. Që nga 16 janari kemi nënshkruar marrëveshje për ofrimin e këtyre shërbimeve për çdo qytetar në katër komunat veriore. Qëllimi ynë kryesor ka qenë dhe mbetet ofrimi i shërbimeve të përditshme për të gjithë qytetarët të cilët i furnizojmë me ujë cilësor që i përmbush të gjitha standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit Publik. Normalisht, synojmë më të mirën për të gjithë qytetarët dhe faturimin e shërbimeve që ata i marrin. Kjo e sotmja është një hap i parë, dhe pavarësisht thirrjes që u kemi bërë kolegëve për t’u ulur dhe për të biseduar se çfarë mund të bëjmë bashkë në drejtim të zhvillimit dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët, deri më sot nuk kemi hasur në një bashkëpunim të mirë“, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se sot kishte ardhur megjithatë në “një vizitë pak më ndryshe”.

„Jemi këtu për të vendosur pllakatën e Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës, sepse kështu na obligon ligji. Nga ana tjetër, jemi dakorduar me kolegët në veri që të hartojmë një listë me çështjet themelore që kanë të bëjnë me rrjetin e ujësjellësit, listën e konsumatorëve dhe të punonjësve, nëse kanë, si dhe për detaje të tjera që lidhen me ujësjellësin që aktualisht menaxhohet nga kolegët në veri. Ndërkohë po përpiqemi të koordinojmë aktivitetet dhe të rrisim cilësinë e shërbimeve për konsumatorët. Pra, ideja është – dhe e ritheksoj – ofrimi i një shërbimi cilësor për të gjithë qytetarët e Republikës, në këtë rast me prioritet për Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, në mënyrë që të vazhdojmë më pas edhe me Zubin Potokun dhe Leposaviqin. Qëllimi, dhe po e theksoj sërish, është furnizimi dhe mirëmbajtja e rregullt me ujë cilësor për të gjithë qytetarët që janë nën administrimin tonë – kjo është ideja“, deklaroi Kurti.