Radakoviq: Fituesi më i madh i zgjedhjeve lokale është LDK-ja, Vetëvendosje befasoi në Mitrovicën e Jugut

MITROVICA
Burim: Kosovo Online

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Avokim të Kulturës Demokratike në Mitrovicën e Veriut, Dushan Radakoviq, ka vlerësuar se rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë nuk sollën ndonjë befasi të madhe, përveç fitores së kandidatit të Vetëvendosjes, Faton Pecit, në Mitrovicën e Jugut, që, sipas tij, ishte e papritur. Ai theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, ndërsa Vetëvendosje e ka arritur suksesin më të madh pikërisht në Mitrovicën e Jugut.

Radakoviq thekson se rezultatet në Prishtinë nuk ishin befasuese, ndërsa për të fitorja e Faton Pecit në Mitrovicën e Jugut ishte surprizë e madhe.

“Për mua ishte shumë befasuese që Mitrovica i dha Faton Pecit një fitore kaq të madhe, me mbi 2.000 vota. Ku ishin ato 2.000 vota në raundin e parë? Edhe pse e dimë që PDK kishte bërë koalicione me të gjithë të tjerët që e mbështetën, sërish fitorja me kaq shumë vota është befasuese. Gjilani – fitore e zakonshme e Vetëvendosjes, fitorja e LDK-së në Pejë, në Prizren PDK, kështu që në përgjithësi nuk pati ndonjë devijim të madh”, shpjegoi Radakoviq.


Sipas tij, fituesi më i madh i këtij procesi zgjedhor është LDK-ja, ndërsa suksesi më i madh i Vetëvendosjes është fitorja në Mitrovicën e Jugut.

“Mendoj se fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është LDK, sepse fitoi disa komuna për të cilat nuk pritej. Sa i përket Vetëvendosjes, ajo do të drejtojë shtatë komuna. Është pak më shumë se në raundin e kaluar, por përshtypja është që fitorja më e dëshiruar ishte ajo në Mitrovicën e Jugut. Për ne serbët, kjo nuk është shumë e mirëpritur, sepse frikësohemi se do të ketë sërish presione dhe përkeqësim të situatës politike në Mitrovicën e Jugut. Qytetet e tjera pasqyrojnë gjendjen reale”, thotë Radakoviq.

Radakoviq shpjegon gjithashtu se pjesëmarrja më e ulët në raundin e dytë ishte e pritshme.

“Gjithmonë në raundin e dytë del më pak njerëz. Edhe në Mitrovicën e Jugut kishte shumë më pak votues. Përafërsisht, pjesëmarrja ka qenë diku rreth 30 deri në 32 për qind. Pra, ajo shifër që dy milionë njerëz jetojnë në Kosovë është qartësisht e ekzagjeruar. U tregua se pasqyra reale është se rreth një milion njerëz jetojnë në Kosovë, ndoshta edhe më pak, ndërsa pjesëmarrja prej 30 për qind pasqyron gjendjen reale. Përjashtim bëjnë komunat serbe, ku pjesëmarrja ishte mbi 55, madje deri në 60 për qind”, ka thënë Radakoviq.