Radojeviq: Lista Serbe do të ankohet për shkak të anulimit të vullnetit zgjedhor

Milan Radojević
Burim: Kosovo Online

Lista Serbe do të paraqesë ankesë kundër tentativës për ndryshimin e vullnetit zgjedhor, ka njoftuar sonte në mbrëmje zyrtari i kësaj partie, Millan Radojeviq.

Radojeviq, për “Euronews Srbija”, ka thënë se ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet dhe se për dallim nga proceset e mëparshme zgjedhore, kur rezultati preliminar dihej gjatë natës, ndërsa finalja u shpall pas vetëm disa ditësh, ende nuk ka rezultat zyrtar të votimit.

"Kjo është vërtet diçka e pabesueshme. Arsyeja e vetme mund të jetë presioni që Vetëvendosje po i bën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim të rivizatimit të rezultateve”, ka sqaruar ai.

Radojeviq ka thënë se arsyeja për gjithçka është se Vetëvendosja dhe Albin Kurti nuk kanë arritur rezultatin që kanë dashur.

“Ata planifikonin të merrnin gjysmë milioni vota dhe fituan 10 për qind më pak se në zgjedhjet e kaluara. Ata nuk kanë shumicë dhe do të duhet të bëjnë koalicion nëse duan të formojnë një qeveri. Vetëvendosja, mund të thuhet, edhe pse fitues është humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve”, nënvizoi ai.

Duke folur për sulmet e djeshme të Kurtit dhe ministrit Nenad Rashiq ndaj Listës Serbe dhe shtetit të Serbisë, ai tha se kjo nuk është asgjë e re.

“Kundërshtari i tij më i madh është Lista Serbe. Ajo që është më e rëndësishme është se ne fituam numrin më të madh të votave serbe në zgjedhje. Ne jemi fitues në të gjitha komunitetet serbe dhe për këtë kemi shpallur fitoren. Serbët në Kosovë dhe Metohi e kanë treguar qartë besimin e tyre ndaj Listës Serbe dhe shtetit të Serbisë. Kjo është ajo që e dhemb Kurtin”, ka theksuar Radojeviq.

Ai përkujtoi se Lista Serbe ka dalë absolutisht e vetme në zgjedhje kundër të gjithave, si shqiptare ashtu edhe partive tjera serbe.

I pyetur nëse dikush ka kontaktuar tashmë me Listën Serbe për formimin e qeverisë së re, Radojeviq tha se deri më tani nuk ka pasur kontakte me parti të tjera.

“Kryesia e Listës Serbe do të jetë në seancë, ku do të vendoset për ankesën. Lista Serbe do të bëjë ankesë kundër manipulimeve zgjedhore”, nënvizoi ai.