Rapajiq: Me vendimin e ri të shpronësimit, Kurti tregon se nuk dëshiron të përmbushë asnjë kusht të bashkësisë ndërkombëtare

Aleksandar Rapajić
Burim: Kosovo Online

Drejtori i programit të OJQ-së Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, thotë se vendimi përfundimtar i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e patundshmërive në komunën Leposaviqit dhe Zubin Potokut mund të shihet si vazhdimësi e presionit ndaj komunitetit serb, por edhe si mënyrë me të cilën Albin Kurti tregon se nuk dëshiron të përmbushë asnjë kusht të bashkësisë ndërkombëtare.

“Hapat e mëtejshëm do të jenë vazhdimi i shpronësimeve dhe vazhdimi i ndërtimit të bazave dhe ndërtimi i qendrave policore. Kemi një njoftim se në pjesën veriore të Mitrovicës do të ndërtohet një qendër policore dhe siç e shohim bazat janë ende aty. Pikat e kontrollit, të cilat ishin vetëm pika kontrolli, dalëngadalë u kthyen në baza, kështu që mendoj se mesazhi për komunitetin serb është shumë i qartë dhe ai është se presioni do të vazhdojë”, tha Rapajiq për Kosovo online.

Sa i përket komunitetit ndërkombëtar, bashkëbiseduesi ynë thekson se Kurti ka qëndrim negativ ndaj tij dhe tregon një lloj krenarie.

“Një nga kërkesat jozyrtare të BE-së ishte zgjidhja e problemit të shpronësimeve në veri. Ashtu siç u tha se kushti për shkarkimin e kryetarëve u plotësua me zgjedhjet e dështuara, ashtu edhe me këtë vendim ai thotë se kushti plotësohet edhe sa i përket shpronësimit. Ai tregon se nuk dëshiron të përmbushë asnjë kusht të bashkësisë ndërkombëtare dhe tregon njëfarë krenarie ndaj tyre”, thotë Rapajiq.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, konsideron ai, nuk është përgjigje ndaj faktit se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, sepse Kurti, siç thotë ai, edhe para këtij vendimi nuk ka marrë vendime në harmoni me bashkësinë ndërkombëtare.

“Ka disa vite vazhdimësi që kjo qeveri merr vendime pa u konsultuar me përfaqësuesit e Kvintës”, thotë Rapajiq.

Bashkëbiseduesi ynë thotë se mbetet të shihet se si do të ndikojë vendimi i fundit i qeverisë në rastet në të cilat vendimi fillestar për shpronësim është anuluar me aktgjykim.

“Ne shohim se stacioni policor në Zubin Potok ende ekziston. Do të shohim nëse do të ketë largim të atyre objekteve dhe ndalim të ndërtimeve në ato vende për të cilat gjykata ka deklaruar”, thotë Rapajiq.