Riker për dialogun: SHBA-të tani kanë prioritete të tjera, nuk mund të prisni që dikush tjetër t’jua zgjidhë problemet

Filip Riker
Burim: Kosovo Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të përfshira për një kohë të gjatë në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ende janë, por tani thonë se kanë prioritete të tjera, deklaroi për Kosovo online ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, duke theksuar se ekzistojnë marrëveshje mes dy palëve që nuk janë zbatuar dhe për të cilat duhet punuar, sepse nuk mund të pritet që dikush tjetër t’i zgjidhë problemet e tyre. Sa i përket krizës parlamentare në Prishtinë, ai e vlerësoi si “turp për Kosovën” dhe theksoi se qytetarët meritojnë më shumë.

Në pyetjen nëse është e mundur të gjendet një zgjidhje për çështjen e Kosovës pa angazhimin e SHBA-së, Riker tha se dialogu ekziston, se duhet të punohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe se palët duhet të mendojnë çfarë të ardhmeje dëshirojnë.

„Amerika ka qenë e angazhuar në rajon për një kohë të gjatë. Që kur Donald Trump erdhi në pushtet, ajo që shihni është politika ‘Amerika e para’. Ka shumë sfida në botë me të cilat duhet të përballet presidenti dhe sekretari i shtetit. Ambasadat tona janë këtu dhe do të vazhdojnë të jenë të angazhuara“, tha Riker.


Sa i përket çështjes së Kosovës, ai kujtoi se dialogu ende ekziston, se Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje të mëdha, si dhe se i dërguari i ri i posaçëm i BE-së, Peter Sorensen, është një diplomat i shkëlqyer i cili do të ofrojë mundësi të mëdha për të punuar në progres.

„Keni zgjidhje, marrëveshje që janë arritur, por nuk janë zbatuar. Punoni për këtë. Mendoni vetë çfarë të ardhmeje dëshironi“, u shpreh qartë Riker.

Në konstatimin se nuk ka rezultate në dialog, ai u përgjigj se kjo nuk është faji i SHBA-së.

„Kjo nuk është faji i SHBA-së, por i juaji dhe duhet të shqyrtoni çfarë të bëni. Nëse arrihet një marrëveshje, ajo duhet të respektohet. Ose – dilni me ide të tjera. Kjo është diplomacia. Nuk mund të mbështeteni te të tjerët që të bëjnë gjithçka për ju. SHBA-të kanë qenë të përfshira për shumë vite dhe nuk po largohen, thjesht po thonë se kanë prioritete të tjera“, përfundoi Riker.


Ai kujton një sërë marrëveshjesh të arritura, veçanërisht periudhën kur edhe vetë ishte i përfshirë në proces, përmes mbështetjes që i jepte atëherë shefes së diplomacisë së BE-së, Ketrin Eshton, e cila, siç thotë, i kushtoi shumë kohë arritjes së Marrëveshjes së Brukselit.

„Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet. Keni kanale në Bruksel, mundësinë që përmes Sorensenit të vazhdohet ajo që kanë bërë Lajçak dhe të tjerët. Kjo është një mundësi për të paraqitur ide. Por, thelbi është që nuk mund të prisni që dikush tjetër t’jua zgjidhë problemet“, përsërit Riker.


Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, ai tha se Amerika dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha vendet.

„I kemi ruajtur ambasadat. Keni një ambasador të emëruar nga presidenti Trump, i cili pritet ta pasojë Kristopher Hillin. Keni ambasadorin serb në Uashington dhe kjo është diçka pozitive. U takova me ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, dhe vazhdojmë me miqësinë që kemi ndërtuar prej vitesh“, tha diplomati amerikan.

Ai vëren se ka shumë mundësi për të përmirësuar bashkëpunimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për sektorin privat, duke shtuar se nuk është vetëm detyrë e qeverive të fokusohen në zhvillimin e bashkëpunimit, por se lidhjet duhet të krijohen edhe jashtë kornizave institucionale.

„Ekzistojnë mundësi reale që Serbia të theksojë inovacionet e saj, mundësi për investime. Kjo do të jetë thelbësore për marrëdhënie afatgjata ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë“, shprehet me bindje Riker.


Ai qëndron shpesh në Beograd dhe në pjesë të tjera të rajonit, dhe siç thotë, vëren një “dinamikë të caktuar”, por edhe të njëjtat sfida që ekzistojnë prej kohësh.

„Zhvillimi kërkon kohë, por qytetarët e të gjitha vendeve duhet të vendosin vetë në cilin drejtim duan të ecin. Duhet të bashkëpunojnë me fqinjët, pastaj më gjerë me rajonin dhe brenda Evropës. Kemi parë përparim, por edhe shumë sfida që kanë ekzistuar prej kohësh. Është koha të krijohet një e ardhme e vetja“, tha Riker.


Duke komentuar krizën parlamentare në Kosovë, ai thekson se ajo është – turp.

„Është vërtet një turp. Mendoj se qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se kaq, ashtu si edhe të gjithë ne në bashkësinë ndërkombëtare që kemi mbështetur dhe kërkuar një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës për 25 vitet e fundit dhe kemi bërë përpjekje për të gjetur një rrugë, përfshirë përmes dialogut. Qytetarët meritojnë më shumë. Duhet të gjendet një zgjidhje që të ketë qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe marrëdhënie të mira me fqinjët në rajon në mënyrë që të ketë përparim“, tha Riker.


I pyetur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, ai paralajmëron vazhdimin e mbështetjes.

„Kemi ambasada në të dy vendet. Kemi marrëdhënie të gjata. SHBA-ja ka mbështetur Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, madje edhe më parë, në kërkim të një zgjidhjeje. Kemi ofruar plane, drejtime, përfshirë dialogun. Dhe këtë do ta vazhdojmë“, përfundoi Riker.