Sakellaropullu: Ka presione, por qëndrimi i Greqisë për Kosovën mbetet i pandryshuar
Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropullu, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se qëndrimi i Athinës për Kosovën mbetet stabil dhe i pandryshueshëm.
"Pozicioni i Greqisë mbetet i pandryshuar." Vendi im zbaton vazhdimisht një politikë konstruktive, për të garantuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë zonën e Ballkanit. Ne mirëpresim përparimin në marrëdhëniet e arritur në Bruksel dhe Ohër dhe veçanërisht aneksin e zbatimit. Greqia është e gatshme të ndihmojë”, tha presidentja e Greqisë.
E pyetur nga një gazetare nëse Greqia, në kontekstin e luftës në Ukrainë, është e ekspozuar ndaj presioneve nga Perëndimi për të ndryshuar qëndrimin e saj, ajo u përgjigj se gjithmonë ka presione që Greqia të ndryshojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës, por se nuk ndikuan në vendin e saj.
Sa i përket integrimit evropian të Serbisë, Sakellaropullu kujtoi se zbatimi i aneksit nga Ohri është i lidhur me rrugën evropiane të Serbisë.
"Kështu, zbatimi i obligimeve të Kosovës nga aneksi do të kontribuojë në përpjekjet e përgjithshme për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon", vleresoi presidentja e Greqisë.
Presidentja e Greqisë theksoi se karakteri strategjik i marrëdhënieve pasqyrohet në Deklaratën e përbashkët për Partneritetin Strategjik në energji, turizëm, kulturë dhe mbrojtje.
“Dëshira është që të përshpejtohet zbatimi i kësaj deklarate në interes të vendeve tona, por edhe të gjithë Ballkanit”, deklaroi ajo
Ajo vuri në dukje se inkursioni i pajustifikuar rus në Ukrainë tregoi se ne të gjithë duhet të luftojmë për paqen bazuar në parimet e OKB-së.
“Aspiratat për zgjerimin e territoreve nuk janë të pranueshme dhe nuk kanë vend në Evropë në shekullin e 21-të”, tha Sakellaropullu.
Ajo ka theksuar se Greqia gjithmonë ka konsideruar se Serbia i përket familjes evropiane.
“Kjo është arsyeja pse theksova qëndrimin e prerë të Greqisë për nevojën që Serbia të anëtarësohet në BE dhe përpjekjet që vendi juaj po bën në atë rrugë. Mbështesim një zgjidhje që do të sigurojë stabilitet për të gjithë rajonin e Ballkanit dhe do t'i japë shtysë zhvillimit të tij. Mbështesim bisedat e fundit të cilat kanë të bëjnë me gjetjen e një zgjidhjeje dhe zbatimin e planit të zbatimit”, ka theksuar presidentja.
komentet