Sava Janjiq shërbeu liturgjinë në tempullin afër Podujevës, policia e Kosovës ka refuzuar të pranojë kallëzimin penal të Dioqezës për përdhosjen e kishës
Në fshatin Rakitnicë afër Podujevës është mbajtur sot liturgji në kishën e Shën Kryeengjëllit Mihail, pasi së fundmi u thye nga një grup së bashku me priftin e vetëshpallur Nikolla Xhufka, shtetas i Shqipërisë.
Liturgjinë e kreu igumeni i Manastirit të Deçanit, arkimandriti Sava, me bekimin e ipeshkvit rashko-prizrenas, Teodosije, me ndihmën e famullitarit kompetent, kryepriftit Stanisha Arsiq, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Dioqezës rashko-prizrenase.
Meqenëse ky tempull u thye më 28 nëntor të këtij viti nga një grup njerëzish të udhëhequr nga i vetëshpallur "prift" Nikolla Xhufka nga Shqipëria, i cili nuk njihet as si prift atje dhe që njihet për përhapjen e intolerancës etnike dhe fetare, përfaqësuesit e Dioqezës sot kryen një shugurim të vogël të tempullit të përdhosur dhe e kryen liturgjinë e shenjtë.
Gjatë liturgjisë jashtë kishës ishin të pranishëm përfaqësues të ekipit monitorues të EULEX-it, patrullat e karabinierëve që punojnë me EULEX-in, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Ngjarja kaloi e qetë dhe pas përfundimit të liturgjisë u ndërrua brava në hyrje të tempullit.
Në predikimin gjatë Liturgjisë At Sava theksoi se me shenjtërimin e tempullit dhe me liturgjinë e shenjtë, tempulli i Shën Kryeengjëllit Mihail u kthye në rendin e tij të rregullt kishtar si vend falje i Kishës Ortodokse Serbe - Dioqezës rashko-prizrenase.
At Sava shprehu shpresën që ky tempull, si të gjitha objektet e tjera të KOS në këto zona, të respektohet dhe të mbrohet nga përdhosjet e mëtejshme.
“Roli i kishës sonë është të përhapë respekt tek të gjithë qytetarët në këtë zonë, por edhe të kujdeset për trashëgiminë e saj”, tha At Sava.
Pas liturgjisë, At Sava dhe përfaqësues të Dioqezës qëndruan për një bisedë të shkurtër me përfaqësues të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Dioqeza rashko-prizrenase shpreh shqetësimin e saj për shkak se Policia e Kosovës në Podujevë ka refuzuar të marrë kallëzimin penal të Dioqezës për vjedhjen dhe përdhosjen e kishës dhe hetimin ndaj priftërinjve të rremë Nikolla Xhufka dhe Kristian Zagali, si dhe ndaj personave qe kane marre pjese ne kete veprim te kunderligjshem .
Ankesa penale e Dioqezës në polici është refuzuar në dy raste: më 1 dhjetor dhe dje, më 5 dhjetor, kur Dioqeza ka tentuar sërish përmes avokatit të saj të paraqesë kallëzim penal në polici në prani të ekipit monitorues të EULEX-it.
Policia e Kosovës ka refuzuar të marrë kallëzim penal, ndonëse një gjë e tillë e kërkojnë ligjet e Kosovës, që është shkelje e rëndë e ligjit, për të cilën janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.
0 komentet