Seanca e KS të KB për Kosovën: Due: E rëndësishme është që të zbatohen, ndërtohen të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë dhe BKS
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shqyrtoi në seancën e sotme raportin 6 mujor të punës së Unmik, ku për herë të parë e prezantoi shefi i ri i misionit Peter Due. Ky i fundit theksoi se e rëndësishme është që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë të ndërtojnë përparimin e arritur dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve përfshirë dhe Bashkësinë e Komunave Sërbe.
Due duke prezantuar raportin 6 mujor të Unmik, shprehu shpresën se së shpejti do të shkohet deri në takim të nivelit të lartë në dialog në të ardhmen e afërt.
Ai vuri në dukje se mori detyrën tre muaj më parë si dhe para saj ka shërbyer në Prishtinë nga viti 1999 deri në 2009 dhe në Beograd nga viti 2013 deri më 2015 dhe se kthehet në rajon ku bëri përparim të madh përmes dialogut, reformave me synim kapërcimin e mosbesueshmërive.
“Por sfidat më të rëndësishme mbeten. Erdha në Prishtinë në momentin e optimizmit kur pritej që Kosova të mund të ecte para, pas zgjedhjeve të bëra në atmosferë inkluzive duke shënuar përfshirjen e të gjitha komuniteteve. U konstitua shpejt Kuvendi dhe Qeveria duke dëshmuar rrugën e progresit por që shkoi deri në ngecje në zgjedhjen e presidentit“, tha Due.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese më 23 mars vendosi që Kuvendi ka 30 ditë kohë që të zgjedhë presidentin dhe shpreson që dallimet të mund të kapërcehen dhe shmangen zgjedhjet e reja.
Tha se proçeset demokratike shpesh ndikojnë mjaft direkt tek jetët e njerëzve në nivel vendor.
Due falenderoi për këtë, pjesmarrjen e të gjitha komuniteteve në zgjedhjet vendore dhe vendosjen e qeverisë vendore në kohën e duhur.
Theksoi rëndësinë e kthimit të sërbëve në institucione, por vuri re se proçesi nuk kaloi pa sfida.
Due tha se ka dëgjuar rreth shqetësimit për barriera si pasojë e gjuhës që ndikon në efikasitetin e punës në favor të qytetarëve.
Përshëndeti përpjekjet në forcimin e bashkëpunimit me institucionet qëndrore në Prishtinë dhe liderëve vendorë në veri të Kosovës.
Nënvizoi se vetqeverisja vendore mbetet kyçe për vendosjen e besimit.
Due përshëndeti dhe përpjekjet e Policisë Kosovare në rivitalizimin e shërbimit të saj në veri.
Prej nisjes së mandatit, thotë ai, kam orjentuar përpjekjet e Unmik në mbështetje të dialogut dhe jetës së përditshme të njerëzve.
“Jam fokusuar në mbështetje të dialogut, veçanërisht kur është fjala për jetën e përditshme.
Shpresoj për dialog të rregullt dhe të qëndrueshëm me autoritetet në Beograd e Prishtinë, pavarësisht pikëpamjeve të tyre të ndryshme mbi punën e UNMIK", tha Due.
Takimi i Komisionit për Personat e Zhdukur në janar, sipas fjalëve të tij, shënoi hap të rëndësishëm përpara dhe inkurajoi palët të vazhdojnë të punojnë për këtë çështje.
Due falenderoi dhe BE për identifikimin e mënyrës konstruktive të zbatimit të Ligjit për të huajt, e cila duhet të kontribuojë në krijimin e dialogut dhe besimit.
"Kjo tregon se progresi mund të arrihet përmes angazhimit të qëndrueshëm", tha shefi i UNMIK.
Ai kujtoi dhe thirrjen e sekretarit të përgjithshëm të KB se autorët e sulmit në Banjskë duhet të nxirren para drejtësisë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në të.
Vuri në dukje dhe situatën në lidhje me median në Kosovë dhe shprehu besimin se sulmet ndaj gazetarëve do të hetohen shpejt.
Due tha se anëtarët e komuniteteve minoritare theksuan shqetësim për pabarazinë në akses tek drejtësia dhe se çështjet që lidhen me të drejtat e pronës mbeten të ndjeshme pasi kërkojnë vëmendje të veçantë.
"Hapat e fundit për forcimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare në procedurat gjyqësore, janë inkurajuese. Do të përshëndesja dhe emërimin e komisionerit prej një viti", tha Due.
Gjuriq: Nën politikat e Kurtit sërbët në K&M etiketohen si “ata të tjerët”, raporti nuk përmend eksodin e tyre të heshtur
Ministri i punëve të jashtme të Sërbisë, Marko Gjuriq theksoi se sërbët në Kosovë nën politikat që ndërmerr Albin Kurti, gjithnjë e më shumë etiketohen si "ata të tjerët", dhe identiteti i tyre përdoret si bazë për kufizimin e të drejtave të tyre, kufizimin e lëvizjes dhe shënjestrimin e shtëpive, pronës dhe ndërtesave fetare, ndërsa arrestimet, sulmet dhe presionet administrative nuk janë incidente të izoluara, por përbëjnë një model sistematik të margjinalizimit që nuk duhet të injorohet.
Ai theksoi se është shqetësuese që raporti i UNMIK nuk përmend eksodin e heshtur, por të vazhdueshëm të sërbëve.
Nënvizoi se roli i UNMIK nuk duhet të zvogëlohet, por forcohet dhe se UNMIK nuk është vetëm relevant, por dhe i pazëvendësueshëm në terren.
Ai vuri në dukje se KFOR duhet të mbetet e vetmja forcë legjitime dhe kredible e sigurisë në terren, në përputhje të plotë me mandatin e vet.
Konjufca: Raporti i UNMIK është i njëanshëm, ka ardhur koha që anëtarët e KB të njohin Kosovën
Ministri kosovar i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca, në seancën e Këshillit të Sigurimit të KB, akuzoi UNMIK se ka paraqitur raport që përmban elementë kontrovers dhe të njëanshëm që nuk pasqyrojnë gjendjen në terren duke u bërë thirrje anëtarëve të organizatës botërore të njohin Kosovën dhe që misionin e KB t’a shndërrojnë në zyrë që do të punonte për përfshirjen e Prishtines në KB.
Bruks: E vetmja rrugë përpara është normalizimi i marrëdhënieve mes Sërbisë dhe Kosovës, UNMIK nuk është më i nevojshëm
Ndihmëspërfaqësuesja e SHBA në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Tami Brus, tha në seancë se e vetmja rrugë përpara për Sërbinë dhe Kosovën është normalizimi i marrëdhënieve dhe theksoi se UNMIK nuk është më i nevojshëm pasi situata në terren tregon se Kosova sot nuk është e njëjtë me atë të vitit 1999, kur u vendos Misioni.
Bruks tha se SHBA mbeten të përkushtuara për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe në Sërbi, sepse "paqja dhe stabiliteti janë të rëndësishme për të dy vendet dhe për të ardhmen e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor".
"Dimë dhe çmojmë faktin se popujt e Kosovës dhe Sërbisë janë miqtë tanë, ata meritojnë të ardhme të bazuar në siguri, mundësi ekonomike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore dhe jo në tensione politike. Mesazhi ynë për ministrin Gjuriq dhe ministrin Konjufca është i thjeshtë-e vetmja rrugë e duhur përpara është normalizimi", tha Bruks duke shtuar se presidenti i SHBA Donald Tramp dhe populli amerikan po dëgjojnë me vëmendje për të dëgjuar angazhim të qartë për punë të përbashkët dhe prosperitet.
Shtoi dhe shpreson që kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq, pra të dy palët, do të "ulin temperaturën dhe shmangin eskalimin" dhe do të mbeten të angazhuar në tryezën e negociatave.
"SHBA janë të përkushtuara për të punuar ngushtë me liderë që shikojnë drejt së ardhmes në vend të së kaluarës", shtoi ajo.
Tha se populli amerikan gjithashtu po ndjek se çfarë do të bëjë Këshilli i Sigurimit me UNMIK, pasi ky organ i KB ka një përgjegjësi themelore ndaj Kosovës.
"UNMIK nuk i plotëson më kushtet. U krijua në vitin 1999 me Rezolutën 1244 pas konfliktit në Kosovë. Ai ishte tjetër moment, tjetër mision dhe tjetër Kosovë. Realiteti në terren sot nuk jep justifikime për trajtimin e Kosovës së vitit 2026 si në vitin 1999", vlerësoi Bruks.
Kjo e fundit shtoi se KFOR ndihmon në ruajtjen e sigurisë në rajon, ndërsa EULEKS dhe OSBE punojnë për mbajtjen e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve kosovare. Kujtoi dhe që përfaqësuesi special i BE Peter Sorensen, udhëheq dialogun për normalizimin.
“Unmik nuk ka më rol domethënës në menaxhim, as në ndërmjetësim. Nuk merret me krizat aktive në mbajtjen e paqes, nuk është garant i sigurisë dhe nuk kontribuon për normalizim. Shumica e funksioneve që ka në letër, e bëjnë më mirë organizatat e tjera. Në momentin kur në botë ka mjaft kriza që kërkojnë vëmendje të madhe nga Ukraina e deri tek Irani, populli amerikan ka të drejtë të bëjë një pyetje të thjeshtë-përse vazhdojmë t’a financojmë UNMIK” ka thënë Bruks.
Kjo e fundit shtoi se misioni pa mbarim nuk është sukses.
“Unmik erdhi në fund të rrugës. Nëse dëshirojmë të jemi seriozë rreth kredibilitetit, institucioneve dhe reformave, atëherë kështu duhet edhe që të sillemi”, shtoi Bruks.
Sun Lej: Kina mbështet dialogun Beograd-Prishtinë, prezenca e KB garanci për zgjidhjen e çështjes kosovare
Ndihmëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës pranë Kombeve të Bashkuara Sun Lej theksoi se Kina mbështet dialogun Beograd-Prishtinë duke shtuar se gjetja e zgjidhjes së pranueshme për të gjitha palët, duhet të jetë në respektim tërësor të integritetit dhe sovranitetit territorial të Sërbisë.
Ai tha se se është në interes të përbashkët koegzistenca harmonike e bashkësive dhe se zgjidhja sa më herët e kësaj çështjeje të bëhet sa më parë.
"Dialogu dhe konsultimi është rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve të hapura", nënvizoi Sun Lei.
Ai çmoi përpjekjet e BE e veçanërisht progresin në çështjen e personave të zhdukur dhe u bëri thirrje palëve të vazhdojnë të angazhohen pragmatikisht në zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Kujtoi se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parashikon krijimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe dhe nënvizoi se autoritetet kosovare duhet t’a zbatojnë sa më parë atë marrëveshje.
Tha se Kina ka marrë parasysh masat e dakordësuuara në lidhje me zbatimin e ligjit për të huajt dhe për automjetet dhe tha se autoritetet kosovare duhet të marrin parasysh interesat dhe shqetësimet e komunitetit sërb.
"Prania e KB është garanci për zgjidhjen e çështjes kosovare. UNMIK prej vitesh ka qenë i rëndësishëm në arritjen e pajtimit dhe KB duhet të mbajë fokusin në të dhe sigurojë fondet e nevojshme për atë Mision", kërkoi Sun Lei.
Ai nënvizoi se qëndrimi i Kinës në lidhje me Kosovën është i qartë dhe i pandryshueshëm.
"Mbështesim palët që në kuadër të Rezolutës 1244, të kërkojnë zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Në këtë proçes, sovraniteti dhe integriteti territorial i Sërbisë duhet jetë tërësisht i respektueshëm", tha përfaqësuesi diplomatik i Kinës.
Lambrinidis: Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen
Shefi i Delegacionit të BE pranë KB Stavros Lambrinidis, theksoi se normalizimi i raporteve është kusht kyç për rrugën europiane të Kosovës dhe Sërbisë.
"Kjo përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjeve që janë arritur në dialog", spegoi Lambrinidis.
Ai theksoi se BE është tërësisht e përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
Theksoi se BE përshëndet angazhimin e Beogradit dhe Prishtines në dialog dhe shtoi se marrëveshja e arritur në lidhje me zbatimin e ligjit për të huaj prezanton hap të rëndësishëm para.
Lambrinidis tha se të gjitha masat, kur është fjala për shëndetësinë dhe arsimin në veri, duhet të jenë në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog dhe ligjet e Kosovës.
Theksoi se BE pret që Kosova dhe Sërbia të asistojnë konstruktivisht në takimin trepalësh me përfaqësuesen e lartë të Unionit, Kaja Kallas, kur është planifikuar.
Ftoi sërbët të kthehen në institucionet gjyqësore dhe polici.
Labrinidis tha se BE i vjen keq që Sërbia ende nuk ka ndërmarrë masa të nevojshme për t'i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë.
Nebenzja: Prishtina vazhdon të sabotojë themelimin e BKS
Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasili Nebenzja, theksoi se situata në Kosovë po përkeqësohet vazhdimisht dhe se shembulli i fundit i "nacionalizmit kosovaro-shqiptar janë të ashtuquajturat ligje për të huajt dhe automjetet" që sërbët i vendosin para zgjedhjes-ose të pranojnë shtetësinë kosovare, ose të largohen.
Nebenzja tha se "regjimi ultranacionalist i kryeministrit të vetëshpallur Albin Kurti po përshpejton spastrimin e popullsisë jo-shqiptare në pjesën veriore".
"Metodat mbeten të njëjta si dhe para shtypjes ekonomike, zgjerimi i rrjetit të stacioneve policore në komunat veriore, dhuna e ushtruar nga Forcat e Sigurisë Kosovare dhe fushata e frikësimit të civilëve, si dhe ndjekja penale e sërbëve me akuza të sajuara me synim marrjen e pronave të tyre", tha Nebenzja.
Si një nga "shembujt e gjallë të nacionalizmit kosovaro-shqiptar", vuri në dukje të ashtuquajturat ligje për të huajt dhe automjetet, të cilat sikurse tha, i vendosën sërbët para zgjedhjes së vështirë-"ose të pranojnë të ashtuquajturën shtetësi kosovare, ose të braktisin Kosovën".
Vuri në dukje se Prishtina bëri lëshim simbolik në lidhje me vazhdimin e funksionimit të institucioneve shëndetësore dhe arsimore sërbe, në formën e shtyrjes së zbatimit të "këtij të ashtuquajturi ligj diskriminues", çka sikurse shtoi,në asnjë mënyrë nuk është arritje e përfaqësuesit special të BE, por tentativë për të mbuluar bashkëpunimin në marrjen graduale të strukturave që sigurojnë mbijetesën e popullsisë sërbe në Kosovë.
Nebenzja përmendi se Bashkësia e Komunave Sërbe, e parashikuar në marrëveshjen e vitit 2013, thekson se Prishtina vazhdon të sabotojë themelimin e saj.
Foli dhe për shkeljen e të drejtave themelore të përfaqësuesve politikë sërbë dhe paralajmëroi se Prishtina po shqyrton mundësinë e dislokimit të Forcave të Sigurisë në veri të Kosovës, duke kujtuar "kalimin gjoja të gabuar të kolonës së FSK" në tetor të vitit të kaluar, si një përpjekje tjetër nga autoritetet vendore për të vepruar pa koordinim me komandantët e forcave kosovare të udhëhequra nga NATO. Shtoi se raportet e mediave në lidhje me planet e supozuara të Albin Kurtit që forcat e NATO në zonën tampon, të ndërrohen me ato të FSK, shkaktuan shqetësim.
"Forcat ndërkombëtare janë formacioni i vetëm legjitim ushtarak në krahinë, siç është parashikuar në Marrëveshjen e Kumanavës dhe Rezolutën 1244 e KS të KB. Jemi të bindur se zëvendësimi i pranisë ndërkombëtare me forcat ushtarake prishtinase, mund të çojë deri në përkeqësim serioz të situatës së sigurisë. Kjo nuk duhet të lejohet", tha Nebenzja.
Franca: E domosdoshme zbatimi i marrëveshjeve të arritura
Përfaqësuesi i Francës Zherom Bonafon, theksoi se Kosova dhe Sërbia kanë të ardhme të përbashkët europiane dhe se rruga drejt integrimit në BE është komplekse, por dobi për qytetarët.
Ai ftoi palët të vazhdojnë të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.
Gjithashtu vlerësoi se marrëveshja e arritur në lidhje me zbatimin e Ligjit për të Huajt është hap në drejtimin e duhur.
"Nevojiten hapa të mëtejshëm të rëndësishëm. Është e nevojshme që të dy palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura", shtoi Bonafon.
Ky i fundit theksoi se Këshilli i Sigurimit duhet të inkurajojë UNMIK të vazhdojë monitorimin e dialogut dhe shtoi se mandati i misionit lidhet me normalizimin e marrëdhënieve.
Britania e Madhe: Të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe çështjet e hapura të zgjidhen përmes dialogut
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, Xhenifer Klot ftoi Kosovën dhe Sërbinë të zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe të zgjidhin çështjet e hapura përmes dialogut.
Ajo theksoi se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë rrugën euroatlantike të Kosovës dhe Sërbisë dhe se si një nga vendet e para që njohu Prishtinën, inkurajon të gjitha shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë, t’a njohin Kosovën.
Vuri në dukje se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e bëri të qartë se shpallja e pavarësisë nuk ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe se njohja është kyçe për stabilitet të qëndrueshëm.
Duke folur për UNMIK tha se me presionin në rritje mbi buxhetin e KB, burimet duhet të riorjentohen aty ku duhen dhe se është e nevojshme analizë strategjike e rolit të misionit në Kosovë.
Danimarka: Dialogu është kyçi i përparimit në rrugën europiane
Përfaqësuesja diplomatike e Danimarkës, Kristina Markus Lasen, theksoi se dialogu mbetet kyç për përparimin e Kosovës dhe Sërbisë në rrugën europiane.
Ajo tha se ky vit nisi me lajme inkurajuese me krijimin e Komisionit për Personat e Zhdukur, si dhe marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt.
Tha se Danimarka mbështet mbajtjen e takimit tripalësh me përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas.
"Thelbësore është që palët të vazhdojnë të punojnë në arritjen e rezultateve. I rëndësishëm është implementimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe kjo për Kosovën përfshin krijimin e BKS, ndërsa për Sërbinë të përmbahet nga ndalimi i përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare", theksoi ajo.
Ajo se Danimarka mbështet përpjekjet e UNMIK, puna e të cilit është mjaft e rëndësishme për të rinjtë në Kosovë, por shtoi se është e rëndësishme që mandati të ofrojë efikasitet.
Greqia: Themelimi i BKS mbetet kyçe për stabilitetin e veriut të Kosovës.
Themelimi pa kushte i Bashkësisë së Komunave Sërbe mbetet kyçe për stabilitetin në veri të Kosovës, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, nënvizoi përfaqësuesja e Greqisë në Këshillin e Sigurimit të KB, Agllaia Balta.
Ajo theksoi se UNMIK vazhdon të japë kontribut në pajtimin dhe stabilitetin, si dhe në forcimin e dialogut në Kosovë.
"E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit është dialogu ndaj Greqia mbështet përpjekjet e të dërguarit special të BE Peter Sorensen. Inkurajojmë të dy palët të angazhohen konstruktivisht në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit", nënvizoi ajo.
Përfaqësuesja e Greqisë theksoi rëndësinë e mbajtjes së takimit në nivel të lartë.
Shtoi se të gjitha hapat e integrimit në institucione, duhet të kryhen në koordinim me komunitetin sërb dhe nën respekt të marrëveshjes nga dialogu.
U deklarua në favor të vazhdimit të mandatit të UNMIK në bazë të Rezolutës 1244, por nën dialog me rritje efikasiteti.
Letonia: Përmes dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve
Përfaqësuesi i Letonisë, Olegs Ilgis, theksoi se për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sërbisë, kyç është angazhimi konstruktiv në dialog.
Ai tha se paqja e qëndrueshme dhe bashkëpunimi rajonal, mund të arrihen vetëm përmes njohjes së ndërsjelltë, pajtimit dhe dialogut.
Ftoi të dy palët të përmbahen nga retorika dhe masat e njëanshme që do të minonin besimin.
Kur është fjala për UNMIK, theksoi se mandati i misionit duhet të reflektojë realitetin në terren dhe se është e nevojshme të shqyrtohet puna e ardhshme e misionit.
Pakistani: Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit, kontribuon tek paqa dhe stabiliteti në rajon
Implementimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes së Brukselit mund të kontribuojë tek paqja dhe stabiliteti në rajon, theksoi përfaqësuesi i Pakistanit në KB Asim Iftikhar Ahmad.
Ambasadori Ahmad dënoi përdhosjen e objekteve fetare dhe u bëri thirrje autoriteteve kosovare të marrin masa për të parandaluar që kjo të mos ndodhë sërish.
Somalia: I rëndësishëm roli i Unmikut
Ambasadori i Somalisë, Abukar Dahir Osman, tha se roli i UNMIK është i rëndësishëm dhe se është e nevojshme të ruhet fokusi në zhvillimin në rajon. Ai theksoi se dialogu është korniza kyçe për zgjidhjen e çështjeve të hapura.Ftoi të gjitha palët të përmbahen nga veprimet dhe retorikat e njëanshme që do të çonin drejt tensioneve.
Panamaja: Zbatimi kyç i marrëveshjes, puna kryesore e UNMIK
Ambasadori i Panamasë, Rikardo Rodrigo Moskozo, bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, duke theksuar se kjo është e rëndësisë kyçe. Ai njëkohësisht mbështeti punën e UNMIK në Kosovë.
Kolumbia: Progres drejt zgjidhjes në favor të të gjitha komuniteteve në rajon
Ambasadorja kolumbiane Leonor Zalabata Torres theksoi se progresi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës është kyç për mbarë rajonin. Ajo mbështeti punën e UNMIK dhe theksoi se mbetet i rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.
"Palët në dialog duhet të avancojnë drejt arritjes së zgjidhjes në favor të të gjitha komuniteteve në rajon. Duhet të bëjmë progress në përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit", nënvizoi Tores.
RD e Kongos: Parimet e Kartës së KB baza e së drejtës ndërkombëtare
Ambasadori i Republikës Demokratike të Kongos, Zenon NgaiMukongo, tha se vendi i tij beson se parimet e Kartës së KB të cilat përfshijnë respektin për sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, janë bazë kyçe e të drejtës ndërkombëtare, e cila reflektohet dhe në Rezolutën 1244.
"Kjo është korniza ligjore dhe baza për veprimin e KB", nënvizoi ai.
Tha se RD e Kongos mbështet përpjekjet e UNMIK i cili mbetet faktor thelbësor në mundësimin e dialogut, forcimin e besimit dhe krijimin e mjedisit stabil.
Theksoi se misionet ndërkombëtare nuk mund të reduktohen artificialisht dhe se një rikonfigurim i nxituar rrezikon destabilizimin.
Liberia: Zbatimi i marrëveshjeve pa vonesë
Ambasadori i Liberisë Luiz Garseda Braun II tha se vendi i tij mbështet dialogun mes Kosovës dhe Sërbisë dhe se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen pa vonesë.
Ai inkurajoi të gjitha palët të investojnë përpjekje në arritjen e rezultateve konkrete.
Përsa i përket UNMIK, tha se misioni duhet të adaptohet sesi të mbështesë stabilitetin, dialogun dhe ndërtimin e institucioneve.
Bahreini: Zbatoni marrëveshjet me synim vendosjen e marrëdhënieve
Ambasadori i Bahreinit Xhamal Fares Alrovaiei ftoi Kosovën dhe Sërbinë që të angazhohen konstruktivisht në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura tashmë.
Shprehu keqardhje për raportet e përdhosjes së objekteve fetare dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëjetesës paqësore të të gjitha komuniteteve.
Bahreini, sikurse shtoi, nënvizon rëndësinë e raporteve mes Kosovës dhe Sërbisë dhe bashkëpunimit të tyre.
Seanca e sotme ishte seanca e parë e radhës e Këshillit të Sigurimit të KB për Kosovën këtë vit.
0 komentet