SHBA: Presim qasje konstruktive prej Kosovës dhe Sërbisë të hënën
SHBA pret qasje konstruktive nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq në lidhje me planin europian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në takimin e 27 shkurtit që do të mbahet në Bruksel dhe se Sërbia e Kosova, të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur angazhimin e tyre për të ardhmen paqësore të rajonit, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit pas pyetjes së bërë nga Zëri i Amerikës për pritshmëritë nga takimi.
“Presim që dy liderët të takohen në frymën e nevojshme konstruktive me qëllim avancimin në përputhje me të”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit dhënë Zërit të Amerikës në prag të raundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë, i cili do të mbahet në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Sërbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raportoi më herët i dërguari i Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Llajçak, përveç deklaratës zyrtare të pranimit, duhet të shqyrtojnë edhe detajet e zbatimit të propozimit europian.
Nga Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës është thënë se është e rëndësishme që Sërbia dhe Kosova, të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.
“Sërbia dhe Kosova përmes dialogut, duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Besojmë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sërbisë në fund duhet të kulmohet me njohjen reciproke. Progresi në dialog do të çelë derën e integrimit europian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit.
Pyetjes nëse mund të pritet një përparim qoftë dhe një pikë kthese pas raundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, Departamenti i Shtetit u përgjigj se është inkurajuese që Sërbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.
“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë-për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme”, thuhet në përgjigje.
0 komentet