SHBA-të pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën

Ambasada SAD u Prištini
Burim: Ambasada SAD

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-ve për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta, thuhet në një komunikatë të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

Më tej theksohet se SHBA-të „mbeten të përkushtuara për avancimin e interesave të përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli i Kosovës“.

„Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në qëllimin e përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të ndërsjellë ekonomike. Për fat të keq, veprimet dhe deklaratat e fundit të ushtruesit të detyrës së kryeministrit Kurti paraqesin sfida për progresin e arritur gjatë shumë viteve. Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar. Shpresojmë që të vazhdojmë me këto përpjekje në të ardhmen, kur të jetë e përshtatshme.

Ne e dimë se ky është një qëllim që populli i Kosovës e vë në prioritet“, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-ve.

Sot është deklaruar edhe ushtruesja e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Ana Pratipati, e cila shprehu zhgënjimin për deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke theksuar se veprime të tilla minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike, ka raportuar Koha.

Pratipati ka theksuar se deklaratat e Kurtit kanë shtuar paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.