Shluka: Ndikimi i Sorensenit nuk është i madh, BE dhe SHBA janë të preokupuara me tema shumë më të rëndësishme se Kosova

Aleksandar Šljuka
Burim: Kosovo Online

Bashkëpunëtori i organizatës joqeveritare “Iniciativa e re shoqërore”, Aleksandar Shluka, ka vlerësuar se vizitën e kryenegociatorit evropian në dialog, Peter Sorensen, në Beograd nuk duhet ta interpretojmë në dritën e ngjarjeve aktuale në Kosovë, por edhe se në këtë moment nuk është reale të pritet ndonjë përparim në dialog, pasi si BE-ja ashtu edhe SHBA-të janë të fokusuara në probleme shumë më serioze.

„Nuk do të thosha se kjo vizitë ka të bëjë me zhvillimet aktuale, duke marrë parasysh që këto vizita zakonisht planifikohen me kohë. Ai vetë, pas vizitës në Prishtinë, tha se do ta realizojë edhe vizitën në Beograd. Ka kaluar periudha e planifikuar dhe kjo është një ngjarje e zakonshme në nivel diplomatik. Mendoj se është rastësi që u përkoi me këto ngjarje. Kjo mund të përkonte edhe me ngjarje të tjera“, deklaroi Shluka për Kosovo online.

I pyetur nëse ndalimi i Listës Serbe, por edhe një sërë ngjarjesh të tjera në Kosovë, “përshpejtuan” vizitën e Sorensenit në Beograd, ky analist është i bindur se ato ishin tema në bisedimet me zyrtarët më të lartë të Serbisë, por jo arsyeja e vizitës.

Shluka ka vlerësuar se ndikimi i kryenegociatorit evropian në dialog nuk është i madh, gjë që është treguar edhe në vizitat e tij të deritanishme në Prishtinë dhe Beograd.

„I pamë vizitat në Beograd dhe Prishtinë, por nuk pamë asgjë konkrete nga takimet, veçanërisht jo nga takimet në nivelin më të lartë. Kjo nuk është parë që nga shtatori i vitit 2023. Thjesht, fokusi i Perëndimit dhe BE-së për momentin nuk është Kosova dhe situata këtu. Ka tema shumë më të rëndësishme në botë, si Gaza, Ukraina. Nga ana tjetër, as marrëdhënia mes BE-së dhe administratës amerikane nuk është më e mira ose nuk është vendosur deri në fund mbi baza të përbashkëta. Në një situatë të tillë, nëse Sorensen nuk ka mbështetje të qartë dhe fokus nga zyrtarët më të lartë të BE-së, dhe nëse nuk ka koordinim midis BE-së dhe SHBA-së, vështirë se mund të presim ndonjë përparim në dialog“, ka thënë Shluka.

Ai shton se nuk duhet përjashtuar mundësia e raundeve të reja të bisedimeve në nivel teknik.

„Për zgjidhjen e disa çështjeve konkrete nevojitet koordinim midis partnerëve transatlantikë, mbështetja e krerëve të BE-së dhe shteteve më të rëndësishme evropiane. Në fund të fundit, kemi krizë politike si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë. Në rrethana të tilla është pak e mundur që të vijë deri te ndonjë përparim. Ekziston një sërë faktorësh që duhet të harmonizohen. Është e vështirë të pritet përparim në një periudhë të afërt“, përfundoi Shluka.