Simiq për muralet e rilyer: Kurti po vazhdon me politikën antiserbe
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se Kurti po vazhdon me politikën antiserbe dhe se në orët e hershme të mëngjesit persona të panjohur, të shoqëruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë dëmtuar muralet e kushtuara Patriarkut Pavlle dhe Mitropolitit Amfillohije në Mitrovicën e Veriut.
Siç theksoi Simiq, është rilyer edhe grafiti “Prej këtu nuk ka kthim prapa”.
“Sipas atij grafiti, Mitrovica e Veriut ishte e njohur. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë hyrë edhe në oborrin e Shkollës Teknike dhe aty kanë rilyer muret. Po vazhdon tortura dhe presioni ndaj serbëve dhe Listës Serbe”, tha Simiq.
Sa i përket ankesës së LS-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Prishtinë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos i certifikuar kandidatët e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Simiq tha se afati për vendim skadon nesër në orën 11.
“Nëse do të respektojnë ligjin, do të certifikohen të gjithë kandidatët e Listës Serbe në zgjedhjet lokale, por kjo gjithashtu duhet t’u tregojë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare se si Kurti e imagjinon demokracinë dhe jetën multietnike në Kosovë. Atij i duhen vetëm serbë që do të tundin kokën dhe prandaj po përpiqet ta ndalojë Listën Serbe”, tha Simiq.
0 komentet