Simiq: Serbët në Kosovë i besojnë Vuçiqit
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se serbët në Kosovë po i ndjekin me kujdes bisedimet e sotme në Bruksel dhe se kanë besim të plotë te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse ata e dinë se ai po lufton dhe ngulmon në luftën për mbijetesën dhe qëndrimin e tyre.
Simiq tha për TV Pink se serbët po presin të dëgjojnë rezultatin e bisedimeve të sotme.
“Serbët kanë besim të plotë te presidenti Vuçiq, sepse e dinë se ai po lufton dhe po ngulmon në luftën për mbijetesën dhe qëndrimin e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Pavarësisht se kush është në tryezën e bisedimeve me të, Vuçiq e mban barrën e rëndë të luftës për interesat serbe dhe serbët në Kosovë dhe Metohi kanë besim të plotë se ai do të luftojë për më të mirën e mundshme në këto rrethana të vështira”, tha Simiq.
Ai vuri në dukje se politikanët shqiptarë në Kosovë po mbyllin radhët, duke i dhënë një erë në shpinë ekipit negociator që të ngulmojnë në përpjekjet e tyre për të shmangur zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe gjithçka që është në favor të serbëve.
“Në Beograd, liderët e opozitës, çfarëdo që të bëjë Vuçiq, do të jenë kundër tij, vendit të tij dhe popullit të tij në Kosovë e Metohi. Kjo është diçka që serbët në Kosovë dhe Metohi nuk mund ta kuptojnë dhe sigurisht që nuk do të falin në zgjedhje”, tha Simiq.
0 komentet