Spahiu: Kriza politike në Kosovë nuk do të zgjidhet para 16 shtatorit

Spahiu
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Nexhmedin Spahiu vlerëson se presidenti i ri i Kosovës nuk do të zgjidhet para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë që pritet të jepet më 16 shtator, bën të ditur se rezultati i këtij procesi do të ndikojë dukshëm në zhvillimet e mëpasshme të situatës politike.

Spahiu beson se Bekim Sejdiu është “ende në lojë” duke parë sikurse tha, në kuadër të “ndonjë negociate të çuditshme” mes liderit të Vetvendosjes Albin Kurti dhe liderit të LDK Lumir Abdixhiku të zgjidhet si kandidat kompromisi.

Sikurse shton, Sejdiu është besnik i Partisë Demokratike të Kosovës (DPK) dhe Hashim Thaçit.

"Ai u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese kur Hashim Thaçi kishte pushtet të plotë. Askush nuk mund të ishte aty nëse nuk ishte nën mbikëqyrjen e tij të rreptë, nëse nuk i ishte besnik ndaj tij. Thaçi ishte i kujdesshëm se kë do të zgjidhte në organet e pavarura sesa për qeverinë, sepse ministrin mund t’a shkarkonte menjëherë, ndërsa në organet e pavarura këtë nuk mund t’a bënte. Ndaj ishte shumë i kujdesshëm se kë do të zgjidhte aty", thotë Spahiu.

Anëtarësia e PDK, shton ai, është mjaft e kënaqur me zgjedhjen e Bekim Sejdiut.

"Ndonëse ata janë deklaruar se nuk do të asistojnë në votim, disa vota do të rjedhin aq sa të jenë të mjaftueshme për t’a zgjedhur presidentin. Mendoj se Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku nëse ai zgjidhet, do të zhgënjehen, por ata do të marrin atë që meritojnë", thotë ai.

Spahiu është i bindur se situata politike nuk do të zgjidhet derisa të merret vendimi i Odave të Specializuara në Hagë më 16 shtator në çështjen kundër ish liderëve të UÇK dhe ish drejtuesve të PDK.

"Në rast se do të dënohen, kjo do të jetë mundësi për Albin Kurtin që të forcojë pushtetin e vet. Nëse lirohen, mendoj se do të arrijnë në marrjen e pushtetit nga Albin Kurti. Jam i bindur se më shumë se gjysma e deputetëve të Albin Kurtit do të kalojnë në anën e tyre e kështu situata që ka qenë e bllokuar për dy vjet do të zgjidhet", beson Spahiu.

Përsa i përket zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës dhe skadimit të mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentit Albulena Haxhiu, Spahiu thekson se logjikisht, pas kësaj, funksionin e presidentit e merr kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

"Kjo nuk është aq e definuar qartë nga Kushtetuta, as nga ligjet. Sidoqoftë, nëse kjo nuk ndodh deri atëherë, deri në formimin e organit, Kosova do të thellojë krizën e vet jo vetëm politike, por edhe kushtetuese", konkludoi Spahiu.