Spahiu: Kurti është bërë imun ndaj kritikave të BE-së

Spahiu
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Nexhmedin Spahiu konsideron se dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ishin një gabim dhe një goditje e madhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, por edhe se konfirmimi i këtyre dorëheqjeve është gjithashtu shumë i dëmshëm për Kosovën.

Ai konsideron se bëhet fjalë për gjyqtarë cilësorë, por se tani duhet të rekrutohen kuadro të reja dhe gjyqtarë të rinj.

„Kemi humbur gjyqtarë që kishin përvojë dhe që ishin profesionistë në punën e tyre. Kjo është një humbje e madhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për rekomandimet e Bashkimit Evropian, mendoj se qeveria e Albin Kurtit është bërë imune ndaj kritikave të tilla, kështu që kjo megjithatë nuk është ndonjë çështje e madhe. Çështja e madhe është se Kosova po humbet në cilësinë e sistemit të drejtësisë“, thotë Spahiu për Kosovo online.


Spahiu konsideron se refuzimi i rekomandimeve të BE-së nuk mund t’i shkaktojë Kurtit dëm politik.

„Mendoj se Kurti do të pësojë dëm atëherë kur populli ta shohë se ai nuk po bën asgjë. Se rreth vetes mbledh vetëm njerëz të paditur dhe se nuk ka asnjë sukses. Suksesi i tij i vetëm është se ia ka marrë shtetit të Serbisë kontrollin në veri dhe e ka kaluar atë nën kontrollin e shtetit të Kosovës dhe kjo është e gjitha. Gjithçka tjetër është një dështim i madh, kështu që ky kredit politik nuk mund ta mbajë përgjithmonë. Njerëzit tashmë kanë filluar ta harrojnë këtë dhe, në fund, do të vendosin në bazë të asaj që ai bën, përkatësisht nuk bën në Kosovë“, përfundon Spahiu.