Stano: BE e gatshme të lehtësojë diskutimet për BKS në takimet pasuese të dialogut
Bashkimi Europian ka shprehur gatishmëri të ndihmojë Kosovën dhe Sërbinë në bisedimet për formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe me shumicë sërbe në Kosovë, transmeton RSE.
Zëdhënësi i BE Peter Stano në lidhje me këtë, nënvizon se dialogu është platforma e vetme ku mund të diskutohen dhe sugjerohen idetë për Bashkësinë.
"Në kuadër të dialogut është edhe forumi për diskutimin e krijimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë sërbe në Kosovë, si dhe për çdo propozim që mund të kenë të dyja palët. BE është e gatshme të lehtësojë diskutimet rreth Bashkësisë në takimet e ardhshme dialoguese", ka theksuar Stano në përgjigjen e shkruar të cilën e ka përcjellë në media.
Stano ka thënë se BE “ka marrë parasysh” komentet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti rreth Bashkësisë të cilat i ka bërë në seancën e Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt.
Pra shefi i qeverisë së Kosovës gjatë diskutimit në Kuvend, deklaroi se qeveria e tij është e gatshme të zbatojë marrëveshjen për formimin e Bashkësisë, por me kushte të caktuara. Sipas tij, Bashkësia duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të ndryshojë emrin sepse nuk mund të jetë mono-etnike, të mos ketë kompetenca ekzekutive, por të shërbejë ekskluzivisht për bashkëpunim mes komunave.
Formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë sërbe, është dakordësuar më parë në vitin 2013 në kuadër të dialogut mes Kosovës e Sërbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Më pas në vitin 2015 u vendosën principet, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se ato nuk janë në përputhje me nenin 23 të Kushtetutës së Kosovës dhe se ato mund të rregullohen me statut apo me ndonjë akt nënligjor.
Bashkimi Evropian në mënyrë të rregullt u bën thirrje palëve të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe në periudhën e kaluar është ushtruar presion mbi palën e Prishtinës edhe prej bashkësisë ndërkombëtare për të filluar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
0 komentet