Stano: Kosova dhe Serbia nuk do të përparojnë drejt BE-së nëse nuk i zbatojnë marrëveshjet

Peter Stano
Burim: Kosovo Online

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën evropiane, nëse nuk ka përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha të tjerave të arritura në kuadër të dialogut.

"Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për progresin e kufizuar deri më tani në zbatimin e marrëveshjes, që mund t'i atribuohet plotësisht dy partive”, tha Stano në përgjigjen për Radio Evropa e Lirë.

Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u arrit një vit më parë, më 27 shkurt 2023 dhe më pak se një muaj më vonë, më 18 mars, në Ohër u dakordua Aneksi për zbatimin e saj.

Marrëveshja ka 11 pika, ndër të cilat është ajo që parasheh se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, por edhe ajo që flet për sigurimin e nivelit të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia.

Në këtë ditë të një viti më pare Bashkimi Evropian e shpalli Marrëveshjen pas takimit të mbajtur në Bruksel nga përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Zhozep Borel dhe përfaqësuesin për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës Mirosllav Lajçak.