Stano: Nuk ka sanksione, BE ka vendosur masa ndaj Kosovës, Kurti nuk ka marrë hapa për deeskalimin
Zëdhënësi i BE, Peter Stano, ka deklaruar sot në konferencën për media se Brukseli është duke futur masa ndaj Kosovës dhe se disa janë zbatuar menjëherë, por edhe se po diskutohen hapat e ardhshëm dhe masat shtesë.
Stano tha se masat e marra ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe mund të shfuqizohen.
“Nuk ka sanksione ndaj Kosovës, por ka një sërë masash apo propozime për një sërë masash dhe disa janë zbatuar menjëherë dhe disa janë ende duke u diskutuar, dhe anëtarët do të diskutojnë dhe vendosin nëse do të ndërmarrin hapin tjetër. Spektri i masave është relativisht i gjerë, por ato mund të revokohen dhe janë të përkohshme dhe do të futen në përputhje me zhvillimin e situatës në terren”, thotë Stano.
I pyetur për zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill në katër komuna në veri të Kosovës, Stano tha se pjesëmarrja ishte “shumë, shumë e ulët, dhe se nuk sollën zgjidhjen e nevojshme për situatën.
"Ata kontribuan vetëm në një përshkallëzim të ri të dhunës. Kemi një shpërthim tensionesh dhe dhunë. Ka kaq shumë probleme dhe sfida. Po përpiqemi të ndihmojmë për të kapërcyer krizën," tha Stano.
Stano ka thënë se gjatë ditëve të kaluara kanë pasur kontakte shumë intensive në nivelin më të lartë mes Bashkimit Evropian dhe partnerëve nga të dyja palët, për të gjetur një mënyrë për të dalë nga status quo në Kosovë, sepse siç shprehet ai, “përsëri kemi një situatë që na tregon se nuk ka deeskalim”.
“Ne thamë që status quo duhet të përfundojë, duhet të dalim nga kriza dhe të vazhdojmë procesin e qetësimit të situatës në veri të Kosovës. I përsërisim thirrjet tona drejtuar kryeministrit Kurti, i cili në këtë rast nuk ka ndërmarrë hapa për të deeskaluar konfliktin”, tha Stano.
Ai shtoi se aktivitetet diplomatike të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë dhe se 27 anëtarë të BE-së kanë përgatitur masa kufizuese që do të zbatohen dhe që do të kenë efekte në raport me Kosovën.
“Ende presim që kryeministri Kurti të ndërmarrë hapa për deskalimin e menjëhershëm të konfliktit dhe nëse kjo nuk ndodh, pasojat do të jenë ndërprerja e kontakteve të nivelit të lartë”, tha Stano.
komentet