Staroviq: Serbia ka bërë shumë në rrugën evropiane; fitorja e Listës Serbe e padiskutueshme, obstruksionet nga Prishtina të pritshme

Nemanja Starović
Burim: Kosovo Online

Ministri për Integrime Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, vlerësoi se Serbia tashmë ka arritur përparim të rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke shpresuar se tani do të pasojnë veprat konkrete, dhe në lidhje me situatën në Kosovë, ai thotë se fitorja e Listës Serbe tregon forcën dhe unitetin e serbëve, por paralajmëroi për obstruksione të mundshme nga Prishtina.

Lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale, Staroviq tha në Programin e Mëngjesit se e gëzon fitorja e Listës Serbe në shumicën e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kjo është një fitore e madhe, si për Listën Serbe, ashtu edhe për të gjithë popullin serb në Kosovë e Metohi. Numri i përgjithshëm i serbëve që dolën në votime është më i madhi në vlerë absolute që nga viti 2001, gjë që tregon përgjegjësi, vendosmëri dhe dashuri ndaj Serbisë. Megjithatë, presim obstruksione serioze nga regjimi i Albin Kurtit, kur bëhet fjalë për pengesat që do t’u vendosen kryetarëve tanë të komunave,” theksoi ai.

Ai nënvizoi se serbët në Kosovë, pavarësisht vullnetit të tyre të qartë demokratik, do të përballen ende me shumë probleme gjatë formimit të administratës lokale.

Duke komentuar mesazhet kryesore të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Beograd, se “nevojiten vepra konkrete”, Staroviq shprehu bindjen e tij se Serbia tashmë ka bërë mjaftueshëm në rrugën e saj drejt BE-së.

“Vizita e Von der Leyen  kaloi në një atmosferë shumë konstruktive, ishte jashtëzakonisht përmbajtësore dhe mund të jemi të kënaqur me rezultatet e saj. Mesazhet kryesore janë se ekziston vullnet i mirë dhe mbështetje nga Komisioni Evropian për të përshpejtuar proceset reformuese në Serbi, madje për t’i dyfishuar ato, dhe për të arritur përparim të plotë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” thekson Staroviq.

Sipas tij, kjo vizitë nuk ishte më e ashpër se ato të mëparshmet, siç pretendohet nga disa pjesë të opinionit publik.

“Këto janë vetëm zëra negativë. E gjithë atmosfera e vizitës së saj ishte pozitive. Gjithçka që diskutuam me delegacionin e KE-së lidhej me mënyrat dhe mekanizmat për përshpejtimin e rrugës reformuese të Serbisë drejt BE-së, dhe gjithçka në interesin më të mirë të qytetarëve tanë,” pohon Mininstri për integrimet europiane.

Ai beson se hapja e klasterit të tretë është afër dhe se ndien “dritën e gjelbër” nga Komisioni Evropian për këtë çështje, e cila, siç theksoi, u ngadalësua për shkak të luftës në Ukrainë.

Ai nënvizon se Serbia ka marrë vlerësime pozitive nga delegacioni i KE-së për marrëveshjen me shoqërinë civile lidhur me ndryshimet në ligjin për listën zgjedhore dhe për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Organit Rregullator për Mediat Elektronike (REM).

“Kemi harmonizuar në një nivel më të lartë edhe politikat tona të jashtme dhe të sigurisë, dhe po punojmë që të hapim edhe klasterët dy dhe pesë. Kemi kapacitete të larta administrative, por ekziston edhe një dimension politik për shkak të të cilit nuk mund të jem tepër optimist. Megjithatë, kemi bërë gjithçka që ka qenë në dorën tonë,” përfundoi Staroviq.

Duke folur për koston ekonomike të harmonizimit të politikës së jashtme të Serbisë me parimet e Bashkimit Evropian, ai thekson se ajo ekziston, por se do të ishte shumë më e madhe nëse Beogradi zyrtar do të kishte marrë një qëndrim të ndryshëm nga ai i bashkëpunimit.

“Shkalla e harmonizimit aktualisht është rreth 61 për qind, që është rreth dhjetë pikë përqindje më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Detyrimi ynë është që gradualisht ta ngremë nivelin, por nuk është e mundur që, si disa vende anëtare, ta harmonizojmë plotësisht politikën tonë të jashtme me tendencat brenda Bashkimit Evropian,” verën ministri përgjegjës.

Ai nënvizon se Serbia është ekonomia më e madhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe se, për këtë arsye, proceset e reformave janë më të vështirat, dhe se vlerësimi dhe verifikimi i tyre janë, si pasojë, më komplekse.

Duke folur për takimin e ardhshëm të liderëve dhe përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, Staroviq thotë se ky tubim do të jetë shumë i rëndësishëm.

“Në të do të marrë pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, si dhe shumë liderë të tjerë të rëndësishëm evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer. Nga Procesi i Berlinit kemi pritur më shumë gjatë këtyre 11 viteve, dhe kjo është e qartë, por megjithatë kemi përfituar disa gjëra përmes tij — para së gjithash, në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, në krijimin e zonës pa roaming, në ndërtimin e rrugëve rajonale... Nga takimi në Londër presim të zhvillojmë më tej tregun e përbashkët rajonal,” pohon Staroviq.