Staroviq: Stoltenberg në mënyrë implicite pranoi se Policia e Kosovës është faktor destabilizues në veri
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, ka përshëndetur deklaratën e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke vlerësuar se me atë deklaratë ai në mënyrë implicite ka pranuar se forcat e militarizuara të Policisë së Kosovës në periudhën paraprake kanë qenë faktor që kanë ndikuar në destabilizimin.
Staroviq thotë se deklarata e Stoltenberg pas takimit me “zonjën Vjosa Osmani nga Kosova”, siç u prezantua zyrtarisht në selinë e NATO-s, vuri në dukje dy gjëra të rëndësishme.
“E para është se sipas marrëveshjeve të vlefshme nga viti 2013, të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës pa pëlqimin e qartë të KFOR-it, dhe e dyta është se forcat speciale policore monoetnike të militarizuara nuk mund të dislokohen në veri pa konsultime me kohë dhe kuptimplotë me KFOR-in”, tha Staroviq për Kosovo online.
Siç vlerëson ai, paraqet një hap pozitiv përpara në raport me atë që ka qenë komunikimi i zakonshëm i aleancës së NATO-s deri më tani, ku theksohej vazhdimisht, se misioni i KFOR-it përfaqëson vetëm forcën e përgjigjes së tretë ndaj sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
“Në këtë mënyrë, Stoltenberg në mënyrë implicite pranon se pikërisht ato forca speciale të militarizuara të Policisë së Kosovës kanë përfaqësuar në periudhën paraprake një faktor që ka ndikuar në destabilizimin e situatës në terren dhe se nuk ka liri të veprimit të tyre në veri, sigurisht jo ashtu siç duan ta paraqesin përfaqësuesit e administratës në Prishtinë”, thekson Staroviq.
Ai thotë se kjo deklaratë është e mirëseardhur dhe paraqet një hap në drejtimin e duhur, si dhe shpreson se do të shoqërohet me masa të mëtejshme konkrete.
Këto masa, shton ai, duhet t'i mundësojnë KFOR-it që të kontribuojë në tërheqjen e plotë të të gjitha forcave monoetnike të militarizuara të Policisë së Kosovës nga veriu.
“Pa diçka të tillë, ne nuk mund të flasim për deeskalim të plotë dhe thelbësor në terren, dhe pa deeskalim nuk do të ketë vazhdimësi të procesit politik të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ai proces nuk mund të prodhojë rezultate të plota dhe të pritshme”, përfundoi Staroviq.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se në përputhje me obligimin e Prishtinës nga viti 2013, çdo vendosje e FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it dhe se priten konsultime në kohë dhe të rëndësishme për çdo veprim të FSK-së, Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë.
komentet