Staroviq: Turqia po armatos intensivisht Prishtinën, gjë që rrit nivelin e rrezikut
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, thotë se Turqia është duke punuar intensivisht në armatosjen, trajnimin dhe pajisjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës, transmeton RTS.
Sipas tij, agjencitë e inteligjencës serbe kanë informacione se Turqia i ka dhuruar Prishtinës dronë, sisteme kundër armaturës, mortaja dhe lloje të tjera të armëve, që është shkelje e Rezolutës 1244, prandaj Serbia i ka dorëzuar ambasadorit turk një notë proteste.
“Sigurisht që ne i kemi ndjekur intensivisht të gjitha këto procese, agjencitë tona që janë përgjegjëse për këtë, prej muajsh i kanë raportuar udhëheqjes shtetërore në detaje për gjithçka që po ndodh dhe natyrisht në përputhje me këtë, duke përdorur kanalet diplomatike. Ne i kemi paralajmëruar përfaqësuesit e Turqisë se kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme. Natyrisht, ata flasin për faktin se bëhet fjalë për një lloj aranzhimi komercial, për shitje”, tha Staroviq.
Ai megjithatë theksoi se bëhet fjalë për armatim që nuk lejohet në Kosovë dhe që FSK nuk guxon t'i posedojë.
“Nga ana tjetër, në bazë të gjithë asaj që dimë, duke marrë parasysh buxhetin e ndarë për të ashtuquajturat forca të sigurisë së Kosovës, nuk kanë para për një gjë të tillë dhe nuk mund të bëhet fjalë për aranzhime komerciale, dhe është mjaft e sigurt se janë donacione turke”, tha Staroviq.
Ai shtoi se dronët janë prezantuar publikisht nga kryeministri i Kosovës, Aljbin Kurti dhe se tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë fakt.
“Fatkeqësisht, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dronë të tipit Bajraktar, bëhet fjalë edhe për sisteme shumë serioze, të sofistikuara kundër armaturës OMTAS, bëhet fjalë për mortaja, granatahedhës e të gjitha. Prandaj, ngre nivelin e rreziqeve dhe kërcënimeve, në radhë të parë për popullatën serbe që jeton në Kosovë e Metohi, por edhe për Republikën e Serbisë në tërësi”, thotë Staroviq.
Kjo, thekson ai, nuk është shkak për panik, por është shkelje e së drejtës ndërkombëtare për të cilën, thekson ai, Beogradi ka përgjigje adekuate.
“Dikush duhet t'i përgjigjet pyetjes se si është e mundur që 24 vjet pas përfundimit të luftës, pas miratimit të Rezolutës 1244, harmonizimit dhe miratimit të marrëveshjes ushtarako-teknike nga Kumanova, ka ardhur deri aty që - në vend të të demilitarizimit - ne kemi të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës në Kosovë, të pajisura me një teknikë shumë sulmuese”, thotë Staroviq.
Në këtë kuptim, thekson ai, është i rëndësishëm takimi i presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili duhet të mbahet këtë javë.
“Për shkak se NATO menaxhon misionin e KFOR-it në territorin e Kosovës dhe Metohisë, misioni i KFOR-it është qartësisht i ngarkuar me zbatimin e çmilitarizimit. Jo vetëm që nuk ndodhi, por tani po flasim për militarizimin dhe paramilitarizimin e Kosovës dhe Metohisë, dhe pas kësaj sigurisht që do të ishte shumë mirë dhe e dobishme, nëse është e mundur, të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe të marrim parasysh gjithçka që kemi dëshmuar në 24 vitet e fundit, e cila është intensifikuar në muajt e fundit”, tha Staroviq.
Ai ka thënë se Kurti haptazi mburret me armatosjen dhe ka theksuar se edhe kryeministri i Kosovës ka folur hapur për faktin se Policia e Kosovës është vazhdimësi e UÇK-së dhe obligim i KFOR-it, shton ai, është çmilitarizimi i territorit të Kosovës.
Ai iu referua edhe faktit se Turqia është një fuqi e madhe, e cila ka ndikim të rëndësishëm politik dhe ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe se Serbia duhet të ketë marrëdhënie të mira me të.
“Ne po përdorim të gjitha kanalet në dispozicion për të paralajmëruar partnerin tonë nga Turqia se kjo është e papranueshme për ne dhe ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se Turqia do të marrë komandën e KFOR-it brenda disa muajsh në vjeshtë të këtij viti. Për herë të parë, pra, pas themelimit të misionit të KFOR-it”, thotë Staroviq.
Ai thekson se Kfor duhet të mbajë një qasje neutrale.
“Prandaj është shumë e rëndësishme që të përpiqemi sa më shumë që të kalojmë atë periudhë në atë mënyrë që të kemi bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv me aleancën e NATO-s, e cila është në krye të misionit të KFOR-it. Sipas Rezolutës 1244, KFOR-i është përgjegjës për sigurimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe Metohi”, tha Staroviq.
Të vetmen rrugëdalje nga situata e tanishme ai e sheh në zbatimin e plotë të asaj për të cilën është përgjegjës.
“Dhe kjo është të çmilitarizohet së paku veriu i Kosovës dhe Metohisë, në mënyrë që pjesëtarët e misionit të KFOR-it të bëjnë përpjekje për të larguar plotësisht të gjithë pjesëtarët e njësive speciale paraushtarake të Policisë së Kosovës nga territori i katër komunave në veri të Kosovës dhe Metohis”, thotë Staroviq.
0 komentet