Stoshiq: Kosova nuk ka marrëveshje me BE për përdorimin e euros si valutë, heqja e dinarit është vendim politik

Slobodan Stošić
Burim: Kosovo Online

Sllobodan Stoshiq, menaxher programi i ACDC-së thekson se Kosova nuk ka marrëveshje me Bashkimin Evropian për përdorimin e euros si valutë zyrtare dhe shton se “heqja e dinarit është një vendim krejtësisht politik”.

“Gjëja e parë që duhet sqaruar është se Kosova zyrtarisht nuk ka marrëveshje me Bashkimin Evropian për përdorimin e euros si valutë zyrtare. Kjo praktikë ekziston dhe ka shembuj të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, por kanë të drejtë të përdorin euron si monedhë me marrëveshje me BE-në. I tillë është, për shembull, San Marino apo Vatikani, të cilët nuk janë anëtarë, por sipas asaj marrëveshjeje mund të përdorin euron. Kosova nuk ka një marrëveshje të tillë dhe këtë situatë me dinarë e shoh si presion politik ndaj komunitetit serb në Kosovë, sepse shumë njerëz marrin rroga dhe pensione, beneficione sociale, shtesat e fëmijëve paguhen me dinarë dhe në këtë mënyrë këtyre njerëzve iu vështirësohet jeta”, tha Stoshiq për Kosovo online.

Ai shpjegon se vendimi për heqjen e dinarit do të dëmtojë jo vetëm serbët që jetojnë në Kosovë, por edhe kombet e tjera, duke përfshirë edhe shqiptarët, disa prej të cilëve pagat i kanë marrë në atë monedhë.

“Një gjë tjetër e rëndësishme për këtë temë është se e gjithë kjo pagesë në dinarë është menduar përmes BKS-së dhe pastaj Serbia do ta paguante Bashkësinë qoftë në euro apo në dinarë, në mënyrë që të konvertohet, por e gjithë kjo situatë është menduar të ndodhë përmes BKS-së, jo si kjo. Dhe ky është problemi kryesor sepse tani ndoshta po ngrihen disa çështje të tjera që duhet të zgjidheshin përmes BKS-së. Kjo është një formë tjetër e presionit në radhë të parë ndaj serbëve në Kosovë, edhe pse ky vendim përfshin edhe komunitetet tjera që jetojnë në atë zonë, jo vetëm serbët, sepse kemi edhe shumë boshnjakë, turq, rom, madje edhe shqiptarë që kanë të ardhura në dinarë, shpjegon Stoshiq.