Mijaçiq: Ndalimi i dinarit karta më e madhe që qeveria e Kurtit mund të nxjerrë kundër mbijetesës së sërbëve kosovarë

Beograd_231226_Dragiša Mijačić 01
Burim: Kosovo Online

Koordinatori i Konventës Kombëtare për Kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, duke kujtuar se Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës në fund të vitit 2023 miratoi Rregulloren rreth operacioneve kesh sipas të cilës është pezulluar çdo përdorim i mëtejshëm i dinarit sërb në Kosovë, vlerëson se ky vendim do të ketë ndikim të madh negativ në të gjitha proceset e mëtejshme në Kosovë-dialogun, jetën e qëndrueshme të komunitetit sërb, por dhe në përgjithësi ekonominë kosovare. Mijaçiq në rrjetin social “X” ka precizuar se Bordi i Bankës Qëndrore të Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2023 miratoi Rregulloren e re rreth operacioneve me kesh e cila krijon dispozita ligjore për pezullimin e çdo përdorimi të mëtejshëm të dinarit sërb në Kosovë, përfshirë pezullimin e transfertave me dinarë, transaksioneve bankare dhe pagesave me kesh.

"Ky vendim do të ketë ndikim të madh negativ në të gjitha proceset e mëtejshme në Kosovë, jo vetëm ato që lidhen me dialogun, stabilitetin politik, sigurisë apo jetën e qëndrueshme të komunitetit sërb, por edhe në performancën e përgjithshme të ekonomisë dhe tregtisë kosovare” tha Mijaçiq.

Ky i fundit bën të ditur se rregullorja do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024 dhe tregon se kjo do të thotë se prej atëherë çdo përdorim i dinarit do të konsiderohet i paligjshëm.

Veç kësaj, siç shton ai, të paligjshme do të konsiderohen çdo transferta me dinarë në Kosovë dhe të tilla veprime do të ndalen me dislokimin dhe përdorimin e forcave të policisë speciale në zonat sërbe.

“Kjo praktikisht do të thotë se bankat që punojnë me dinarë, do të mbyllen, ndërsa përdorimi i dinarit në dyqane do të jetë i ndaluar. Përveç kësaj të gjitha institucionet e Republikës së Sërbisë që operojnë në Kosovë, siç janë shkollat dhe spitalet, do kenë vështirësi në punë. Pagat, pensionet, asistenca sociale dhe të tjera subvencione që Sërbia ofron për qytetarët e vet në Kosovë, gjithashtu do të jenë të kufizuara. Ky vendim gërmë për gërmë godet sërbët që jetojnë në Kosovë, pa përjashtim, por edhe shumë të tjerë, shqiptarët, boshnjakët, goranët, romët. Të gjithë ata që përdorin dinarin" ka thënë Mijaçiq.

Ky i fundit bën të ditur se zbatimi i Rregullores gjithashtu do të ketë implikime negative në ekonominë e Kosovës dhe buxhetin kosovar.

Në këtë kuptim thotë se çdo vit Sërbia shpenzon qindra milionë euro në Kosovë, ndërsa pjesa më e madhe e këtyre të hollave përfundojnë tek performuesit shqiptarë, shërbime ofruese, qendra tregtare dhe dyqane.

Bën të ditur se i tillë ndërveprim ekonomik ndihmoi tregtinë mes komuniteteve dhe bashkëpunimin mes të cilëve kontribuoi më tej në uljen e tensioneve ndëretnike.

Kur thuhet se sërbët dhe shqiptarët e Kosovës bëjnë biznes së bashku, siç shton ai, subvencionet sërbe janë burimi më i zakonshëm për një tregti të tillë.

“Zbatimi i rregulloreve të tilla sigurisht që do t'i shtyjë sërbët dhe të tjerët në varfëri, do të çojë në arratisje të pashmangshme prej Kosovës. Proceset e tilla do të kenë ndikim afatgjatë negative si në dialog ashtu dhe në ndaljen e çdo mundësie për pajtim në të ardhmen e afërt.

Kjo është karta më e madhe që qeveria e Kurtit mund të nxjerrë kundër egzistencës së qëndrueshme të sërbëve kosovarë. Kjo bëhet para zgjedhjeve europiane dhe amerikane, kur do të ketë vakum në dialog. Ky është viti i zbërthimit në të cilin gjithçka përveç paqes është e mundur”, tha Mijaçiq.

Ky i fundit kujton se dy vjet më parë, më 11 janar 2022, sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Entoni Blinken në letrën për Albin Kurtin deklaroi se SHBA po shikonin lidershipin e tij personal dhe kërkoi prej tij “të shmangte aksionet dhe retorikën që mund të rrisnin tensionet”.

"Është momenti i fundit për të thirrur në lidershipin personal dhe të Departamentit të Shtetit të qëndrojnë pas fjalëve të tij dhe t'i përgjigjen politikisht edhe ndaj një tjetër akti të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, para se të jetë tepër vonë për sërbët kosovarë. Do të jetë vonë dhe për paqe të qëndrueshme” ka theksuar Mijaçiq duke shtuar se këtë çështje shqetëson dhe Zhozef Borellin, Mirosllav Llajçakun, Olaf Sholcin, Emanuel Makronin, Dejvid Kameronin, Xhorxhia Melonin, Dora Bakojanisin, Xhim O’brajanin, por edhe media sikurse janë CNN, BBC Vorld, Politico, Euroactiv, Uashington post, Financial Tajms.