Todiq: Punimet janë të kundërligjshme, banorët nuk pajtohen me vendimet e Qeverisë së Prishtinës
Kryetari i organit të përkohshëm në Komunën e Leposaviqit Zoran Todiq i ka përcjellë nënkolonelit të policisë kosovare Veton Elshanit i cili komandon njësinë e speciale që ruan punimet në rrugën magjistrale nga Leposaviqi në lagjen Zaselje të Leshkës, shqetësimin e banorëve të Drenit për ndërtimin e bazës së re policore në këtë vend.
Todiq në bisedë me Elshanin, ka theksuar se punimet janë të kundërligjshme dhe prej tij ka kërkuar të informojë eprorët e vet se banorët nuk pajtohen me vendimet e Qeverisë në Prishtinë pasi nuk dëshirojnë ndërtime në pronat e tyre.
“Këtu procedurat ligjore po shkelen para vendimarrjes së qeverisë. Populli nuk pajtohet me ndërmarrjen e këtyre punimeve“, ka thënë Todiq.
Elshani ka thënë se pati biseduar me banorët dhe theksoi se varrezat ortodokse nuk do të preken.
“Besoj se gjatë punimeve mund të arrihet marrëveshja për pronat. Qeveria mori vendim dhe punimet do të vazhdojnë, policia ndërkohë po i ruan ato. Ne thjesht po zbatojmë urdhërat” ka thënë Elshani.
Gjatë kohës kur Elshani fliste, banorë të inatosur e kanë rrethuar atë duke kërkuar me ngulm ndaljen e punimeve.
„Policia nuk duhet të shkojë në mes të fshatit. Populli nuk mundet të jetë i qetë kur shikojnë ngado policë. Kjo nuk shkon fare që të ndërtosh bazën në mes të fshatit. Ky është pushtim. Si do të reagonit ju kur në vendin tuaj të ndërtohej një bazë” kanë reaguar banorët.
Ndërkohë në vendin ku u mblodhën banorët e Drenit, mbërriti edhe një patrullë britanike e KFOR ku banorët i’u ankuan atyre për këtë fakt.
“Ja ku janë të armatosur me armë tytgjata ngado nëpër kodra, janë 50 policë të armatosur“, i është drejtuar efektivëve të KFOR banorët.
0 komentet