Trajkoviq: Grabitja e postës në Uglarë u bën presion serbëve të largohen
Kryetari i Autoritetit të Përkohshëm për Fushë Kosovën, me seli në Uglarë, Aleksandar Trajkoviq, thotë se shkatërrimi dhe plaçkitja e zyrës së Postës së Serbisë në Uglarë ka shkaktuar frikë te popullata serbe dhe ka shtuar se këto nuk janë presione për ndalimin e dinarit, por për të dëbuar popullin serb.
“Sonte rreth orës 03:20 persona të panjohur kanë ardhur dhe kanë depërtuar brenda me forcë, kanë thyer postën, kanë rrënuar murin, kanë marrë arkën me para që ishin të destinuara për pensionistët dhe banorët e tjerë të komunës së Fushë Kosovës. Posta u shërben rreth 5000 banorëve të kësaj komune. Askush nuk dëgjoi asgjë në një moment kaq të vështirë për popullin serb në Kosovë e Metohi. Është një goditje psikologjike, më besoni, që popullata nuk mund ta durojë më”, ka thënë Trajkoviq për Kosovo online.
Ai shtoi se populli nuk mund ta kuptojë se nuk do të ketë më dinarë.
“Është e vështirë, populli nuk mund të përballojë presionin psikologjik që dinari nuk do të figurojë si valutë në këto zona, ne nuk mund ta kuptojmë që kjo mund të ndodhë. Dhe si, jo vetëm pensionistët, por edhe ata që marrin asistencë sociale, përfitime të tjera sociale, shtesë për fëmijë, shtesë e nënës, si do ta marrin, ku do të shkojnë, çfarë do bëjnë? Këto nuk janë presione për të zhdukur dinarin, por presion për të larguar popullsinë”, tha Trajkoviq.





komentet