Vuçeviq: Brnabiq e informoi botën për situatën reale në Kosovë në seancën e KS të OKB
Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq tha sot se është domethënëse që kryeministrja serbe Ana Brnabiq e ka informuar opinionin botëror dhe atë organ për situatën reale në Kosovë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB, raporton RTV.
Vuçeviq tha për TV Prva se ishte domethënëse që Serbia e "përdori" seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB për të informuar botën dhe përfaqësuesit e vendeve më të rëndësishme në botë për faktet në lidhje me situatën në Kosovë.
Ai shtoi se Brnabiq ka shpjeguar saktësisht se çfarë po ndodh në terren në atë zonë dhe se mesazhi kryesor nga fjalimi i saj është se ka një fushatë të spastrimit etnik të heshtur të serbëve në Kosovë.
Vuçeviq tha se gjithçka që u dëgjua pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte e pritshme dhe se mund të pritej që asnjë vend të mos ndryshojë në mënyrë dramatike qëndrimin e vet për çështjen e Kosovës.
“Mund të pritej që shtetet që e njohën të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës apo ato që nuk e njohin dhe respektojnë të drejtën publike ndërkombëtare do të mbeten në qëndrimin e tyre”, tha Vuçeviq.
Ai ka deklaruar se është mirë që Brnabiq ka pasur mundësi t'i prezantojë të gjitha faktet dhe ka shtuar se nuk mendon se do të ndryshojë diçka dukshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të luftojmë dhe të flasim për këtë.
“Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe askush nuk duhet të ketë përshtypjen e zhgënjimit, sepse pas prezantimit të kryeministrës, ndonjë superfuqi nuk e ndryshoi raportin për Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçeviq.
0 komentet