Vuçeviq: Investimi në Ushtri është investim për sigurinë dhe jo trokitje armësh
Investimi në Ushtrinë e Sërbisë është investim në sigurinë e vendit dhe do të ishte e papërgjegjshme të mos punohej për forcimin e mëtejshëm në rrethanat aktuale gjeopolitike, por edhe kur në Kosovë Albin Kurti nuk ndalet me terrorin dhe persekutimin e popullit sërb, ka thënë ministri sërb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq i cili po qëndron në Kinë si pjesë e delegacionit të kryesuar nga presidenti i Sërbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçeviq, në një prononcim për TV Pink, ka bërë të ditur se në takimin me lidershipin ushtarak kinez në Pekin, do të diskutohet se çfarë armësh të tjera mund të marrë Sërbia prej Kinës.
“Qysh nesër dhe sot me orën e Kinës, kemi takim me nënkryetarin e Komisionit Qëndror Ushtarak. Kjo është diçka mbi Ministrinë e Mbrojtjes, përzierje e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Partisë Komuniste. Mjafton të thuhet. se kryetari i saj është vetë Si Gjingping. Do të diskutojmë rreth atyre që kemi blerë më herët, për dorëzimin e kësaj dhe presim të dakordësohemi për punë të reja, ndoshta drone, gjithçka që nevojitet për t’a bërë Sërbinë më të sigurt për të gjithë qytetarët" theksoi ministri.
Pyetjes nëse është e nevojshme të investohet kaq shumë në pajisje ushtarake, Vuçeviq thotë se na duhen shumë më tepër dhe se do të ishte e papërgjegjshme të ndalemi me këtë në të tilla rrethana gjeopolitike me ngjarjet në Kosovë.
“Kurti nuk ndalet me terrorin, persekutimin e sërbëve, përditë arrestime, kontrolle, ndalim autoambulancave, pengimin e njerëzve për të marrë ushqime, pajisje mjekësore. Në të tillë mjedis është e papërgjegjshme të thuhet se nuk na duhen, jo të mos shkoni në luftë dhe sulmoni dikë, por për të penguar ata që duan të na sulmojnë” tha Vuçeviq dhe citoi presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se “të gjithë do të përdorin dobësitë e ushtrisë siç i kemi pasur në vitet 2005 apo 2006 për të na thyer shtyllën kurrizore".
Vuçeviq theksoi se investimi në ushtri-është investim në siguri dhe jo “trokitje armësh”.
Ai theksoi se mbi të gjitha duhet pasur kujdes për sigurinë, rreth Ushtrisë së Sërbisë dhe shtoi se kurora e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Sërbisë dhe Kinës, është biseda mes dy presidentëve.
"Këto janë marrëveshje strategjike, nuk mundemi të blejmë më në tregun rus ndërsa kemi miqësi të çeliktë me Kinën. Blerja e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, është më delikate se gjërat e tjera. Do të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë më pas, që është jo në kundërshtim me vendimet e SHBA, pasi për këtë duhet të marrim në konsideratë dhe pasojat pasi jemi të rrethuar nga pothuajse të gjitha vendet që janë në paktin e NATO dhe na duhet mënyrë për të siguruar gjithçka që blejmë” tha Vuçeviq.
Ky i fundit theksoi se gjërat në tregun e pajisjeve ushtarake janë edhe më të komplikuara dhe se kjo ka ndodhur qysh prej nisjes së konfliktit në Ukrainë dhe vazhdoi në Nagorno-Karabakh, pastaj me tensionet mbi Tajvanin dhe tani me konfliktin Izrael-Gaza.
Vuçeviq tha se Sërbia ka marrë kërkesë për pajisje ushtarake nga gjashtë vende qysh nga fillimi i konfliktit në Gaza.
0 komentet