Vuçeviq: Sërbia nuk do të pajtohet me përpjekjet e Prishtinës për të formuar BKS jashtë principeve të dakordësuara

Sastanak ministra Vučevića sa delegacijom Senata SAD
Burim: Ministarstvo odbrane Srbije

Zv kryetari i qeverisë së Sërbisë njëkohësisht ministër i mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka thënë sot në bisedë me delegacionin e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe senatorët Kris Marfi dhe Geri Piters se Sërbia nuk do të pajtohet me tentativat e qeverisë prishtinase që të formojë BKS jashtë principeve të dakordësuara më herët.

Vuçeviq gjatë bisedës për sigurinë rajonale, vuri në dukje mungesën e vazhdueshme të gatishmërisë së përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë për diskutime rreth formimit të Bashkësisë së Komunave Sërbe, detyrim që pala prishtinase e ka pranuar qysh në vitin 2015 ku garant është Bashkimi Europian.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë, Vuçeviq ka theksuar se përmes këtyre veprimeve, pala prishtinase njëanshmërisht po redukton mundësinë e vendosjes së një dialogu konstruktiv që do të kontribuonte në pajtimin përfundimtar në Ballkanin Perëndimor, vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e besimit të ndërsjelltë.

Me këtë rast Vuçeviq ka thënë se Sërbia po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet tragjike në Ukrainë dhe modelon politikën e saj të jashtme nën frymën e e deklarimit të neutralitetit ushtarak dhe mbështet tërësisht të drejtën ndërkombëtare kur diskutohet çështja e integritetit territorial të Ukrainës.

Në këtë mënyrë, shton ai, Sërbia mbron interesat e veta kombëtare dhe statusin e saj në bashkësinë ndërkombëtare dhe është e vendosur të mbetet promotore e dialogut dhe faktor stabiliteti në rajon.

Në takim u diskutua rreth mundësive të arritjes së një partneriteti më të fortë mes Sërbisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes dhe u theksua rëndësia e çeljes së mundësive për intensifikimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Vuçeviq tha se ka tregues të qartë që ofrojnë përparim të dukshëm në marrëdhëniet e ndërsjellta që po realizohen në fushën e mbrojtjes.

Ministri i mbrojtjes gjithashtu vuri në dukje shumëllojshmërinë e fushave me interes të përbashkët në të cilat realizohet bashkëpunimi, duke vënë theksin në fushën e sapokrijuar të pjesëmarrjes së përbashkët në operacionet shumëkombëshe të paqes.

Anëtarët e delegacionit të Senatit të SHBA, shprehën kënaqësinë për takimin me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe përcollën pritshmëritë e tyre që në periudhën e ardhshme të ketë forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

Të dy palët ndanë të njëjtin qëndrim se formimi i BKS është detyrim që pala prishtinase e ka marrë përsipër dhe është e nevojshme që atë t’a përmbushë.