Vuçiq: Dialogu nuk ekziston për shkak të Kurtit, por Kallas vjen me një agjendë ndryshe

Aleksandar Vučić
Burim: Skrinšot

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se tema e bisedës me përfaqësuesen e lartë të BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas, e cila sonte vjen në Beograd, do të jetë sigurisht dialogu me Kosovën, por edhe vizita e tij në Moskë për paradën me rastin e Ditës së Fitores. Duke komentuar për TV Pink dialogun me Prishtinën, Vuçiq tha se “nuk mund të zgjojë dikë që bën sikur është në gjumë”.

Duke folur për vizitën e Kaja Kallas në Beograd, Vuçiq tha se e di se cila do të jetë tema e bisedimeve me përfaqësuesen e lartë, përveç dialogut me Prishtinën, i cili, sipas tij, pothuajse nuk ekziston.

„Ai nuk ekziston për shkak të Kurtit, por Kallas vjen me një agjendë disi ndryshe. Ajo ishte e vetmja që publikisht e dënoi shkuarjen time në Moskë gjatë samitit në Tiranë. Kam pasur një bisedë me të, ia kam shpjeguar pozicionin e Serbisë në mënyrë të sinqertë, të qartë, të paekuivoke. As nuk jam fshehur, as nuk kam ikur nëpër korridore. Ishte një bisedë korrekte dhe konkrete për këtë çështje me të dhe jam i sigurt se ajo do ta rikthejë këtë temë dhe do të këmbëngulë në të. Nuk do të fshihem nën tavolinë, për të qenë i sinqertë“, tha Vuçiq.

Ai shtoi se për pjesën tjetër të agjendës dhe çështjet që kanë të bëjnë me përmbushjen e kushteve të caktuara që ka vendosur BE-ja, është më mirë të bisedohet me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.

„Nuk jam ekspert për këtë çështje, por mendoj se është shumë e rëndësishme të përmbushim ato që kemi premtuar, dhe që kanë të bëjnë me tre ligjet për mediat. Ato kanë të bëjnë me REM-in, me kushtet zgjedhore dhe ligjet zgjedhore. Këtë e kemi premtuar dhe duhet ta realizojmë, por më mirë të pyesni Anën Bërnabiq, ajo është eksperte për këtë, ose Staroviqin“, deklaroi Vuçiq.

Duke folur për dialogun me Prishtinën, Vuçiq tha se “nuk mund të zgjoni dikë që bën sikur është në gjumë”

„Dhe nuk mund t’ia paraqesësh të vërtetën dikujt që nuk dëshiron ta dëgjojë. Për të gjithë ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në cilindo kontinent, asnjë argument nuk ka asnjë vlerë. Nuk ka rëndësi as fakti që Rezoluta 1244 nuk është shfuqizuar kurrë. Ata thonë: ‘Ju jeni të vegjël, ju duhet të dëgjoni. Ne kemi vendosur t’ju marrim 14 për qind të territorit dhe ju nuk do të jeni mjaftueshëm demokratë, nuk do të jeni mjaftueshëm të orientuar drejt së ardhmes derisa të kuptoni se duhet ta pranoni këtë, ndërkohë që ne do të gjejmë ata që do ta thonë këtë në vendin tuaj. Dhe pastaj ju mbajnë leksione për Ukrainën’“, theksoi presidenti i Serbisë.

Vuçiq shtoi se është mirënjohës ndaj presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski, i cili, sipas tij, nuk ka thënë asnjë fjalë kundër Serbisë për shkak të vizitës së tij në Moskë.

„Kemi kontakte të mira me palën ukrainase dhe kurrë nuk do t’i ndërpresim, sepse Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. E kam parë sa e ka rënduar vizita ime në Moskë, por nuk ka thënë asnjë fjalë, sepse ka treguar respekt. Kurse këta të tjerët vendosin nëse do të shkoj dhe ku do të shkoj. Dhe unë pyes: Prit pak, si është e mundur që ti kalon mbi territorin tim për të shkuar në atë që ti e konsideron pjesë të shkëputur të territorit tim – çfarë të intereson? Dhe kur ua thua këtë, të shikojnë si përmes djathit zviceran, sikur gjithçka është me vrima“, tha Vuçiq, duke aluduar në vizitën e planifikuar të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, në Kosovë.