Vuçiq: Do të ndryshojmë qasjen për çështjen e Kosovës, nuk do të mund ta vënë Serbinë para një fakti të kryer

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Serbia do të ndryshojë doktrinën dhe qasjen e saj për çështjen e Kosovës dhe nuk do të jetë më e mundur ta çojë vendin në një fakt të kryer, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Para 25 vitesh kanë filluar të përdorin armët për të na marrë Kosovën dhe Metohinë dhe nuk janë ndalur as sot”, ka theksuar Vuçiq në një deklaratë për gazetarët, pas pritjes së nxënsve nga Kosova në Pallatin e Serbisë.

Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë që me nderë të ruajë lirinë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Ai tha se në periudhën e ardhshme pret vetëm lajme të këqija për Serbinë, por për këtë do të flasë në ditët në vijim.

Ai vetëm ka përmendur shkurt se lajmi i keq i referohet, para së gjithash, se si Serbia është “mashtruar dhe gënjyer nga disa të ashtuquajtur miq dhe ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Ne thamë se çfarë do të ndodhë kur të bëhet kjo, pasi ata mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme. Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse qëllimi i dikujt është vetëm ta shtyjë popullin serb sa më larg që të jetë e mundur nga Kosova dhe Metohia dhe në të njëjtën kohë atyre që i dëbojnë serbët do t'u sigurohet legjitimitet dhe ligjshmëri e plotë për veprimet e tyre. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që na pret”, ka theksuar Vuçiq.

Ai tha se është e rëndësishme që Serbia të forcohet, të kuptojë pozicionin e saj.

"Nuk do të jetë e lehtë, të paktën për popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Si rezultat i ndryshimit të doktrinës dhe qasjes, ata nuk do të mund të na sjellin më në faktin e kryer. Ju mund të zbatoni gjithçka me forcë por do të duhet të thoni se po e zbatoni me dhunë. Do të duhet të pranojmë diçka që kryhet me dhunë, ndoshta po, por do të dihet se është bërë me dhunë”, tha presidenti i Serbisë.

Kjo është arsyeja pse qasja e Serbisë, përsërit ai, do të jetë dukshëm e ndryshme.

“Kur dikush të mashtron një herë, kjo u ndodh njerëzve të mirë, kur të mashtrojnë për herë të dytë, do të thotë se i ke besuar fjalës së tij shumë ose ke dashur ta besosh, por nëse vazhdon atëherë thuhet se çfarë budallenjsh jeni, dhe ne nuk jemi më budallenj të tillë”, tha Vuçiq.

Ai bëri të ditur se në ditët në vijim do të flasë më shumë për rajonin dhe të gjitha rreziqet që kërcënojnë Evropën dhe botën.