Vuçiq: Do t’i shkruaj Rutte-s për hapjen e urës mbi Ibër, shpresoj se do ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se gjithçka që vendet perëndimore po bëjnë në Kosovë është një turp për qytetërimin dhe paralajmëroi se do t’i shkruajë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i bërë thirrje që ura mbi Ibër të mos hapet për qarkullim.
Gjatë inspektimit të punimeve në kantierin e Spitalit të Fëmijëve “Tirshova 2”, Vuçiq tha se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i justifikojë krimet e saj të vitit 1999, si dhe vendimet e gabuara për ta imponuar me forcë pavarësinë e Kosovës.
“Shqiptarët u kanë treguar se si një serb e ka rrahur Nenad Rashkoviqin. Natyrisht që kanë gënjyer. As që janë shumë të interesuar. Ditën e parë thanë se ato pamje ishin të tmerrshme dhe më pas heshtën”, tha ai.
Sa i përket situatës rreth urës mbi Ibër, Vuçiq tha se gjithçka po bëhet pa pëlqimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq.
“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutte-s dhe shpresoj se do t’i përgjigjet letrës sime dhe do ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet. Këtë do ta bëj sot ose nesër. Për mua ky është një turp i madhë dhe zhgënjim. Kjo na tregon se nervozizmi ka hyrë në radhët e tyre dhe se nuk dinë si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur. Ne do të shohim se si t’i ndihmojmë popullin tonë. Dalëngadalë, gjërat po ndryshojnë në botë, por jo aq shpejt sa prisnim. Çdo ditë një popull keqtrajtohet dhe dëbohet nga vatrat e veta. Do të shohim se cila do të jetë përgjigjja e tyre”, ka thënë Vuçiq.
Ai shtoi se shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Millan Mojsiloviq, pati një bisedë shumë të keqe me komandantin e KFOR-it.
“Kjo ndodhi për herë të parë. Do të shohim se si do të zhvillohet situata”, përfundoi Vuçiq.
0 komentet