Radojeviq: Serbët i frikësohen hapjes së urës mbi Ibër, KFOR-i e zvogëloi numrin e ushtarëve edhe para 17 marsit

Milan Radojević
Burim: Kosovo Online

Serbët janë të shqetësuar për shkak të paralajmërimit se ura mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut, do të hapet, pasi situata e sigurisë nuk është e mirë, deklaroi kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke rikujtuar se këto synime zgjojnë kujtimet nga pogromi i marsit.

Radojeviq, gjatë paraqitjes në Programin e Mëngjesit të RTS, tha se çështja e urës kryesore mbi Ibër është jashtëzakonisht e ndjeshme për qytetarët e veriut të Kosovës, duke pasur parasysh se situata është e brishtë, veçanërisht gjatë tri viteve të fundit.

Përfaqësuesit e serbëve, siç thotë ai, disa herë ua kanë parashtruar këtë pyetje ambasadorëve të vendeve të Quint-it, përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, por edhe komandantit të KFOR-it:

“Në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i situatës së sigurisë në Kosovë dhe Metohi, konkretisht në pjesën veriore të Mitrovicës?”

“A bazohet kjo vetëm në raportet e policisë, të cilat janë shumë, duhet ta përdor edhe këtë term, vërtet zhgënjyese dhe qesharake, pasi në këto raporte policore nuk përmendet kurrë asnjë incident i motivuar etnikisht? Këto incidente të motivuara etnikisht fshihen plotësisht”, tha Radojeviq.

Ai vuri në dukje edhe, siç tha, “pamjet tmerruese që vijnë nga Zubin Potoku”.

“Atje njerëzve u rrënohen shtëpitë e pushimit pranë Liqenit të Gazivodës, u merret prona dhe çdo ditë, absolutisht çdo ditë, kryhen bastisje nëpër fshatrat e kësaj komune, gjatë të cilave njerëzit rrihen”, tha Radojeviq.

Ai rikujtoi rastin e Nenad Rashkoviqit, i cili ende pret përgjigje në pyetjen se kush e ka rrahur.

“Ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj tyre, ndërsa, nga ana tjetër, marrim informacione se situata është e sigurt dhe se ura kryesore mbi Ibër mund të hapet për qarkullim”, thekson Rashkoviq.

Ai thotë se serbët kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare përgjigje në pyetjen se çfarë ka ndryshuar gjatë një viti, që vlerësimi i tanishëm i sigurisë të mundësojë paralajmërimin për hapjen e urës.

“Është vërtet e pakuptueshme që kjo të ndodhë në një kohë kur në Kosovë dhe Metohi nuk ekziston absolutisht asnjë institucion i qëndrueshëm”, theksoi Radojeviq, duke rikujtuar se parlamenti nuk funksionon, Qeveria është me mandat teknik dhe nuk ka president.

“Nuk duhet të harrojmë se KFOR-i kishte një vlerësim të ngjashëm dhe e zvogëloi numrin e ushtarëve para 17 marsit. Këto janë pamje dhe kujtime që zgjohen përsëri te qytetarët e Mitrovicës së Veriut, por edhe te serbët e tjerë në Kosovë dhe Metohi”, thekson Radojeviq.

Frika nga aktgjykimi në Hagë

Radojeviq paralajmëroi se po afrohet shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve në Hagë për krime lufte, prandaj serbët në veri të Mitrovicës me të drejtë i druhen reagimit të shqiptarëve.

“Serbët me të drejtë kanë frikë se Policia e Kosovës nuk është në lartësinë e detyrës dhe se nuk mund të na mbrojë as ne, as kishat dhe as manastiret tona”, deklaroi kryetari i komunës, duke rikujtuar se përfaqësuesit e Listës Serbe i kishin kërkuar komandantit të KFOR-it që prania e misionit të përforcohej pikërisht para shpalljes së aktgjykimit.

“Nuk duhet të harrojmë se KFOR-i kishte një vlerësim të ngjashëm dhe e zvogëloi numrin e ushtarëve para 18 marsit. Këto janë pamje dhe kujtime që zgjohen përsëri te qytetarët e Mitrovicës së Veriut, por edhe te serbët e tjerë në Kosovë dhe Metohi”, thekson Radojeviq.

Ai shtoi se autoritetet lokale nuk kanë komunikim të mirë me Policinë e Kosovës, duke përmendur si shembull rrënimin e rreth tridhjetë garazheve në Mitrovicën e Veriut pa vendim gjykate dhe pa pëlqimin e komunës.

“Pra, forcë e zhveshur dhe represion”, përfundoi Radojeviq, duke përshkruar veprimet e policisë gjatë rrënimit.

Synimi për bashkimin e Mitrovicës

I pyetur se si e interpreton deklaratën e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, se hapja e urës do të shënonte fundin e idesë për ndarjen e veriut të Kosovës, Radojeviq u përgjigj se ky është vetëm njëri nga një sërë hapash që autoritetet e Kosovës po ndërmarrin në terren.

“Synimi përfundimtar është bashkimi i Mitrovicës dhe shuarja e komunës së veçantë të Mitrovicës së Veriut”, deklaroi kryetari, duke rikujtuar vendimin për krijimin e një bordi të përbashkët ndërmjet dy komunave, të cilin e mori Qeveria me mandat teknik dhe për të cilin tha se është “një hap shumë i rrezikshëm”.

Radojeviq theksoi gjithashtu se përse e konsideron Mitrovicën e Veriut thelbësore për komunitetin serb.

“Në Mitrovicën e Veriut ndodhen Qendra Klinike Spitalore dhe Universiteti, prandaj Mitrovica e Veriut është qendër administrative, arsimore dhe kulturore për serbët në Kosovë dhe Metohi. Kështu që për Kurtin kjo është e qartë. Nëse e ka thyer Mitrovicën e Veriut, atëherë ka thyer, të themi, edhe rezistencën e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, thekson Radojeviq.

Politologu Ognjen Gogiq konsideron se sot në Kosovë dhe Metohi rrezikun më të madh nuk e përbëjnë ekstremistët nga komuniteti shqiptar, por pikërisht institucionet që duhet të mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

“Rreziku vjen nga institucionet që duhet të mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, para së gjithash nga Policia e Kosovës”, vlerësoi Gogiq, duke rikujtuar ngjarjet pas Gazimestanit dhe festës së manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë, kur Policia e Kosovës, sipas tij, tregoi se e kishte shtrembëruar rolin e saj dhe se sillej si inkuizicion.

Roli i KFOR-it dhe NATO-s

Gogiq vuri në dukje se, në situatën aktuale, BE-ja dhe NATO-ja po ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.

“Këtu BE-ja dhe NATO-ja ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës”, deklaroi Gogiq, duke rikujtuar se NATO-ja në qershor mori vendimin për optimizimin e pranisë së KFOR-it, gjë që praktikisht nënkupton zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të këtij misioni.

Politologu konsideron se misionet ndërkombëtare nuk kanë arritur ta stabilizojnë situatën në terren dhe t’i aftësojnë institucionet lokale për të marrë përsipër vetëqeverisjen, prandaj, në vend që të marrin përgjegjësi, po tërhiqen.

“Këtu nuk bëhet fjalë, nuk do të thosha për përtaci, por në fakt për një lloj mungese gatishmërie për t’u përballur me problemet”, shpjegoi Gogiq, duke hequr një paralele me situatën në Afganistan në vitin 2021.

Kriza institucionale dhe përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare

Gogiq paralajmëron se situata në Kosovë nuk duhet të shihet vetëm përmes prizmit të fushatës parazgjedhore të Albin Kurtit, por në kontekstin e një rrënimi më të gjerë të rendit.

“Kjo nuk është më as bllokadë dhe as krizë institucionale. Ky është puç kushtetues. Pra, Kurti e pengoi konstituimin e Kuvendit të ri brenda afatit kushtetues dhe për këtë arsye Kosova tani qeveriset nga një qeveri me mandat teknik, e cila nuk ka asnjë mbështetje në ligj. Pra, pavarësisht se gëzon mbështetjen e publikut, ai nuk ka bazë ligjore për të qeverisur”, vlerësoi politologu.

Ai konsideron se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë përgjegjësi, në vend që t’u kalojë kompetenca shtesë institucioneve që shkelin ligjin.

“Ky është një dështim dhe mossukses i madh i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë krijuar një sistem që duket se është i paqëndrueshëm dhe duhet të angazhohen edhe më shumë për ta parandaluar kolapsin, e jo t’i kalojnë atij sistemi përgjegjësi shtesë”, përfundoi Gogiq.

Ai vëren se ekzistojnë të gjitha shenjat e paralajmërimit të hershëm se situata mund të ndërlikohet edhe më tej, nëse nuk reagohet në kohën e duhur.