Vuçiq: Sado i madh të jetë presioni, Serbia nuk do ta njohë Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, sado i madh të jetë presioni.
„Nuk bëhet fjalë vetëm për Gjermaninë, por edhe për shumë të tjerë. Ata dëshirojnë ta shohin me çdo kusht Kosovën e pavarur. Dëshirojnë të ushtrojnë presion sa më të madh ndaj Serbisë, në mënyrë që ajo ta njohë Kosovën“, u tha Vuçiq gazetarëve, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Serbia mund të jetë në ndonjë rrezik nga rajoni, duke pasur parasysh se Gjermania ka dhuruar një shumë të madhe parash për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ai theksoi se kjo nuk do të ndodhë, pavarësisht se sa i madh do të jetë presioni dhe pavarësisht se sa do t’i rrahin serbët dhe do të heshtin për këtë.
Vuçiq vuri në dukje se disa madje kanë trilluar historinë se serbët janë rrahur ndërmjet tyre dhe se Rashkoviqi i ka marrë lëndimet në këtë mënyrë.
„Nuk ka gënjeshtër që nuk do ta përdorin. Kjo flet mjaftueshëm për ta. Ikja nga realiteti dëshmon dobësinë e tyre“, nënvizoi Vuçiq.
Presidenti paralajmëroi gjithashtu se sot do ta vizitojë përsëri të lënduarin Nenad Rashkoviq.
I pyetur të komentonte heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të opozitës, lidhur me rrahjen e Rashkovisit, Vuçiq u përgjigj se nga Prishtina vijnë gënjeshtra monstruoze dhe se monstruoze është edhe heshtja e bashkësisë ndërkombëtare.
„Nga Prishtina vijnë gënjeshtra të tmerrshme, gënjeshtra monstruoze. Monstruoze është edhe heshtja e të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare. A mund ta imagjinoni sikur dikush me shpinën në atë gjendje të raportonte se ishte goditur nga policia e Beogradit apo nga ndonjë polici tjetër? Në cilën faqe të parë të mediave botërore nuk do të shfaqej kjo? Por ne serbët nuk jemi njerëz, ne jemi paria dhe duhet të bëjmë gjithçka që kërkojnë prej nesh, e atëherë do të bëhemi njerëz. Ne jemi njerëz dhe nuk do t’ju dëgjojmë e as nuk do t’ju shërbejmë. Do t’i mbrojmë interesat tona kombëtare“, theksoi Vuçiq.
Ai iu referua gjithashtu, siç tha, fushatës mediatike kundër tij për shkak të deklaratës për lumin Ibër.
„A e patë fushatën e disa mediave kur përmenda idenë legjitime të boshnjakëve për ndërtimin e një hidrocentrali reversibil në Ibër? Çdo ide serbe duhet të shtypet që në embrion. Serbit nuk i lejohet të jetë serb, veçanërisht jo në Kosovë e Metohi. Duhet të jeni serb i Rashiqit dhe i Kurtit. Kryeqyteti juaj nuk duhet të jetë Beogradi, por Prishtina, Tirana dhe Brukseli. Mirëpo, serbët në Kosovë e Metohi nuk interesohen as për Brukselin, as për Tiranën dhe as për Prishtinën, por vetëm për Beogradin“, tha Vuçiq.
0 komentet