Vuçiq: I drejtë propozimi i BE për të kapërcyer krizën në veri, Kurti do probleme
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq nënvizon se propozimi i Bashkimit Europian për të kapërcyer situatën në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve vendore në të cilat morën pjesë gjithsej gati 3% e qytetarëve dhe vetëm 13 sërbë, ishte i drejtë, por kryeministri kosovar Albin Kurti e ka kundërshtuar, sepse siç tha ai, ai dëshiron vetëm krizë.
“Ata donin diçka që të ishte drejtësi relative, ndërsa Borelli tentoi të sqaronte Kurtin se nuk ka kuptim që të përshëndesë zgjedhjet me 3% pjesmarrje të qytetarëve sepse do të kishte probleme. Kurti u përgjigj se policia këtë do t’a zgjidhë sepse këto janë veçse struktura kriminale” ka thënë Vuçiq.
Ky i fundit nënvizon se propozimi i shefit të diplomacisë europiane Zhozef Borelli, ishte të vendoste ndonjë zgjidhje kalimtare me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas disa muajsh, ashtu sikurse formimi i BKS, dhe kthimin e sërbëve nëpër institucione për të legjitimuar organet qeverisëse.
“Kurti do kriza. Ndaj duhet të ngrihemi shpejt, të kemi fuqi dhe besim për të mbrojtur tokën” ka thënë Vuçiq.
Pyetjes nëse mund të shkohet deri në konflikt gjatë dorëzimit të pushtetit, Vuçiq tha se shpresonte që të mos shkohet deri aty, por shpresa e tij nuk do të thotë asgjë.
I pyetur nëse ka ndonjë garanci nga aktorët ndërkombëtarë, ai u përgjigj se si BE ashtu edhe KFOR, kanë reaguar në mënyrë korrekte për urën në Ibër.
Ai ka përsëritur se e thotë gjithmonë të njëjtën gjë para mediave dhe publikut si në takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke shtuar se takimi me “pesëshen europiane” më 20 janar ka qenë nga më të vështirat për të.
“Kur shikon kaq shumë sulme ndaj meje, nuk janë sulme ndaj meje, atyre nuk u intereson ndonjë Vuçiq. E rëndësishme është që Sërbia të jetë e dobët. Nuk jam unë fajtor që jam i paarsyeshëm, por që nuk do t’a lejoj atë që po propozojnë, që ndonjëherë Sërbia humb gjithçka dhe të tjerët fitojnë, ndonëse kjo nuk është gjithmonë kështu” tha Vuçiq.
Vuçiq shton se Sërbia nuk mundet pa Europën pasi 60% e shkëmbimeve tregtare i përkasin BE, nga Unioni vijnë investimet më të mëdha, ndërsa qindra mijëra njerëz punojnë në fabrikat e tyre.
Presidenti sërb ka thënë se në çdo takim përjeton presione për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa kërkesat që Sërbia të pranojë Kosovën po bëhen më të rralla, por me tone më të mprehta.
“Të shohim, bisedimet e radhës do të jenë në nivel teknik. Pres një situatë jo të lehtë për popullin tonë në rajon, veçanërisht në bisedimet me Prishtinën. Do të ketë probleme, por ne nuk i largohemi bisedimeve” tha Vuçiq.
0 komentet