Vuçiq për kritikat e QUINT-it për bojkotimin e votimeve të 21 prillit: Të keni turp
Presidenti i Serbisë, Aleksadnar Vuçiq, ka porositur sonte se duhet të turpërohen vendet e QUINT-it, të cilat kritikojnë Listën Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës më 21 prill, për shkak të akuzave të tilla, duke kujtuar se vetëm 3.4 për qind e qytetarëve kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri vitin e kaluar.
"Pashë që disa po përpiqen të na japin mësime, çfarë akti i paturpshëm”, tha Vuçiq në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me faktin se QUINT-i qorton serbët për bojkotin e shpallur të votimit më 21 prill.
Siç tha ai, Albin Kurti fillimisht organizoi zgjedhjet në të cilat dolën 3.4 për qind e qytetarëve, ndërsa më parë kishte kryer aksione të panumërta kundër serbëve.
"Arrestuan serbët, keqtrajtuan, rrahën, plagosën... Pastaj organizoi zgjedhje të shkëlqyera me 3.4 për qind të njerëzve që dolën, por kjo nuk është problem. Na thanë pranoni të merrni pjesë dhe ata do të japin dorëheqjen. Kur ne pranuam, ata thanë – nuk do të japin dorëheqje”, ka kujtuar Vuçiq.
Pas kësaj, thotë ai, nga QUINT-i u kanë thënë serbëve që të dorëzojnë peticion, edhe pse, nënvizon ai, është dashur të mblidhen nënshkrimet edhe të 20 për qind të votuesve të regjistruar.
"Dhe kur me gjithë mashtrimet e Kurtit, një mashtrues i vogël, i mbledhim ato nënshkrime, ata thonë - jo, dalim në referendum, dhe referendumi kërkon 50 plus 1 votë. Epo, nuk ka aq shumë serbë që jetojnë atje... Kanë regjistruar edhe 862 persona të tjerë”, ka theksuar presidenti serb.
Ai shtoi se të gjithave iu përgjigj Lista Serbe dhe theksoi se në fakt është e pakuptimtë, sepse serbët nuk mund të durojnë më terrorin.
"Edhe pas 3,4 për qind të atyre që kanë dalë në votime thonë - Beogradi e ka fajin? Turp të keni. Shikoni në pasqyrë, o gënjeshtarë”, ka thënë Vuçiq.
0 komentet