Vuçiq: Kroacia dhe Sllovenia në Bruksel mbështesin heqjen e sanksioneve Prishtinës si dhuratë Kurtit për zgjedhjet

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se para disa ditësh në samitin e ministrave të punëve të jashtme në Bruksel, përfaqësuesja e lartë e UE Kaja Kallas doli me propozimin që Kosovës t’i hiqeshin sanksionet çka u mbështet menjëherë nga Kroacia e Sllovenia ndërsa Hungaria dhe Franca e kundërshtuan. 

“Papritmas Kaja Kallas doli me temën që Prishtinës t’i hiqeshin sanksionet pavarësisht se nuk pati konsultime. Mbështetësit më të mëdhenj në sekondë ishin Kroacia e Sllovenia. Dhuratë e mrekullueshme për festat e Krishtlindjes pasi Kurti ka zgjedhje më 28 dhjetor, a nuk do t’a ndihmonte për të fituar zgjedhjet” ka thënë Vuçiq për TV Informer.

Theksoi se kjo nuk kaloi për shkak të Francës dhe Hungarisë që ishin kundër. 

"Duhet të themi se aty ishin dhe francezët. Por nuk do të thoni se edhe Franca është aty sepse disave nuk u pëlqen. Hungarezët i duan të gjithë për shkak të Viktor Orbanit, por askush nuk duhet të thotë se edhe francezët janë në anën tonë dhe janë", vuri në dukje presidenti i Sërbisë.

Ky i fundit tha se Italia përcolli letër që Sërbisë t’i çelet Kapitulli 3

"Do të ketë grup vendesh para Këshillit të BE për të na çelur Kapitullin 3. Këta janë miqtë tanë, Franca dhe Italia, me të gjitha dallimet që kemi për Kosovën. Çfarë prej (Ministrit Gjerman të Punëve të Jashtme) Johan Vadeful t’a bëjmë armik? Ai nuk është armik i Sërbisë", tha Vuçiq.
Lidhur me shkrimet në media se "Vadeful dëshiron t’a shtyjë Sërbinë në luftë me Rusinë", Vuçiq tha se kjo nuk është e vërtetë.

"Thonë se ai dëshiron që ne të shkojmë në luftë ndaj Rusisë. Kjo nuk është e vërtetë. Johan Vadeful është shoku im, mik prej 15 vitesh. Pata bisedë të shkëlqyer me të. Gabuan në një televizion dhe thanë 'për çfarë tjetër do të flisnin veçse armatosjes së Ukrainës'. As nuk e përmendëm. Me Makronin kjo gjithashtu nuk ishte temë", tha Vuçiq.

Shtoi se Sërbia dhe Kroacia do të duhet të kenë marrëdhënie pakrahasueshëm më të mira, megjithëse në Kroaci japin gjithçka nga vetja për të punuar kundër interesave të Sërbisë.

Në konstatimin se duket sikur dikush tenton të shkaktojë tensione artificiale në rajon, Vuçiq tha se Kroacia e di që ky është momenti i fundit, pasi i ka përmbushur të gjitha qëllimet e saj strategjike përveç atij më të rëndësishëm-të shkatërrojë Sërbinë dhe të shkatërrojë sërbët.

“Hyrën në NATO, në BE, e shkatërruan Sërbinë. Përherë janë të parët kur duhet të ndihmojnë Prishtinën, kur duhet të ndihmojnë Sarajevën dhe me këdo kundër Beogradit. Të ndihmojnë Podgoricën kundër Beogradit, por kjo nuk do të thotë ata se i respektojnë. Ata do t’i poshtërojnë. Ashtu siç i poshtëruan me banderolën në stadium... Poshtërimi më i keq që u bëjnë dhe e dinë që politikanët e tyre duhet të heshtin”, vuri në dukje Vuçiq.

Ky i fundit vuri në dukje se Kroacia vazhdon të mos dëshirojë të thotë se ku është thelbi-se ka më shumë sërbë të zhdukur sesa kroatë të zhdukur.

"Ata ende nuk do t'ju thonë se sipas evidencave zyrtare të Kryqit të Kuq në Gjenevë, ka më shumë sërbë të zhdukur në Kroaci sesa kroatë. Ata përgjatë gjithë kohës flasin për kroatët e zhdukur, as nuk i përmendin sërbët e zhdukur dhe ata duhet të na japin rezultatet dhe të na tregojnë se ku janë zhdukur sërbët", nënvizoi Vuçiq.

Nuk e mohon, thotë ai, se nuk ka kroatë të zhdukur, por ka akoma më shumë sërbë.

"Ata nuk thonë se ka sërbë të zhdukur, pale më që ka më shumë... Njerëzit në rajon, zyrtarët ndërkombëtarë këtë nuk mund ta dëgjojnë", përsëriti ai.

Sikurse thotë, ata këtë e bëjnë sepse duhet të gjejnë arsye për të penguar Sërbinë në rrugën drejt BE.

"Ndërsa unë vazhdoj t’i pyes se përse bërët aleancë ushtarake me Prishtinën dhe Tiranën. Pa përgjigje. Pas kësaj aleancë dypalëshe me Slloveninë. Përse thirrni bullgarët? Kundër kujt është kjo aleancë? Përse po armatoseni", pyeti Vuçiq. 

Marrëdhenie të mira me kroatët do të ketë kur në Zagreb të kuptojnë se Sërbinë nuk mund t’a shkatërrojnë. tha Vuçiq.

Sipas fjalëve të tij, qëllimi kryesor i Kroacisë është ndalim-hyrja e Sërbisë në Unionin Europian, ndonëse sikurse thotë, ata këtë nuk e pranojnë.

Vuçiq tha se shumë nuk e dëshirojnë në BE Sërbinë, jo vetëm kroatët dhe se do të bëjnë gjithçka që

Sërbia të mos jetë anëtare.

“Na intereson që të jemi“, u shpreh i qartë Vuçiq.

Ky i fundit beson se Sërbia ka mundësi të mirë për të përshpejtuar rrugën e saj europiane, nëse e kupton se çfarë mund të bëjë.

"Por dëshira ime nuk është që të hyjmë vetëm dhe të jemi para nuk e di ndokujt. Dëshira ime është që, nëse mundemi, të hyjmë të gjithë bashkarisht", tha presidenti i Sërbisë.

Ky i fundit tha se kjo është e vetmja që ka kuptim.

"A ka kuptim që pjesë e popullit tonë të jetë në Europë dhe pjesë tjetër jashtë Europës? Çfarë do të bëjmë me sërbët në Semberi, çfarë do të bëjnë boshnjakët e B&H apo të Polimjes, shqiptarët e Tuzit apo të Maqedonisë së Veriut? Këta do të jenë burime konflikti në të ardhmen... Për të mos folur për ne dhe shqiptarët në Kosovë", theksoi Vuçiq.

Kur thuhet, kufij të hapur, të gjithë këtë e interpretojnë në mënyrën e vet, por të gjithë do të jenë pjesë e Europës dhe do të ketë paqe.

"Për të mos patur kufi as në Jarinje as në Bërnjak, që të munden shqiptarët nga Konçuli të shkojnë në Prishtinë dhe të punojnë, pa asnjë ndalesë. Sërbët e Kosovës të mos kenë asnjëlloj ndalese në Sërbinë e tyre, ndonëse disa prej tyre e konsiderojnë Kosovën të tillë, sikurse Rashiq... Por nuk jam i sigurt se njerëzit janë mjaft të gatshëm për këtë, as se është realiste, por do të ishte më e drejta", tha Vuçiq.
Ky i fundit shtoi se hyrja në BE është përherë vendim politik.

Duke folur për NIS, bëri të ditur se do t'u drejtohet qytetarëve të dielën apo të hënën, për të njoftuar se çfarë po ndodh në këtë çështje.

"Unë jam i shqetësuar, por nuk mendoj se qytetarët duhet të jenë. Jo sepse diçka nuk po ndodh, po ndodh, por nuk jam i sigurt se OFAC do t’a pranojë atë kështu", tha Vuçiq.

Tha se ai do të ofrojë diçka që partnerët amerikanë nuk do të jenë në gjendje t’a refuzojnë.

"Nëse dëshirojnë marrëdhënie partneriteti, për të treguar çfarëdolloj marrëdhënie miqësore në çfarëdo forme, do të duhet t'i dëgjojnë fjalët e mia dhe t'i çmojnë. Ndaj besoj se gjithçka do të jetë në rregull. Ata kanë marrë letra nga disa kompani të shquara që dëshirojnë të marrin pronësinë në NIS, por nuk jam i sigurt nëse kanë rënë dakord për çmimin. Nëse nuk kanë janë dakordësuar, do të ketë se kush", tha Vuçiq.

Ky i fundit shprehu besimin se SHBA do ta pranojnë deklaratën e tij, do të takohen dhe do të japin liçencën në mënyrë që Rafineria të mos ndalojë së punuari.