Vuçiq: Kurti çdo ditë kërkon sanksione për Serbinë dhe vazhdon të kërcënojë serbët
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po bën thirrje që Serbisë të vendosen sanksione çdo ditë, dhe pyeti me ironi nëse ajo që kërkon për të garantuar sigurinë e Kosovës vlen edhe për qytetarët e kombësisë serbe, të cilët i kërcënon çdo ditë.
“Kështu thotë çdo ditë dhe çdo ditë dërgon te serbët njësi të reja speciale të Policisë së Kosovës. Ai po e kërkon çdo ditë, por nuk jam i sigurt se të gjithë janë entuziastë për të”, tha Vuçiq nga Pekini.
Siç thotë ai, kur keni nevojën të sulmoni dikë çdo ditë, do të thotë se keni një problem.
I pyetur për të komentuar deklaratën e presidentit francez Emanuel Makron se liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet një pyetje e hapur sepse Kosova nuk i ka përmbushur hapat drejt deeskalimit në veri që kërkuan BE dhe SHBA, Vuçiq tha se nuk dëshiron të komentojë për këtë.
"Faleminderit Makronit për shumë gjëra të tjera. Kur është fjala për kërkesën e tij për të dënuar ngjarjen në Banjska - ne e bëmë atë në të njëjtën ditë. Po i kërkoj ambasadorit francez në Serbi Koshar t'i dërgojë disa nga ato deklarata. Mendoj se ia kam thënë edhe këtë. Për ne është e rëndësishme që të përpiqemi t'i zgjidhim gjërat me dialog”, tha presidenti i Serbisë.
Duke thënë se më 21 tetor në Beograd vijnë “pesëshja e madhe”, përfaqësues të BE-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe SHBA-së, Vuçiq thotë se ndoshta ata sjellin disa nga idetë e tyre.
“Kam dëgjuar diçka, por do të flas kur ta shoh, do ta studioj dhe më pas do të reagojmë dhe do ta informojmë opinionin”, tha ai.
Pas takimit me pesëshen e madhe po vjen seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe presidenti thotë se ende po mendon nëse Ana Brnabiq, Ivica Daçiq apo ai do të udhëtojë në Nju Jork.
“Të shohim sa e rëndësishme është, sa e rëndësishme është në këtë moment, ka edhe një takim të ministrave të BE-së në tetor, sigurisht që do të jemi një nga temat”, tha ai.
Duke komentuar faktin se Kurti deklaroi se dje ka sjellë në Tiranë edhe një dokument që kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka refuzuar ta nënshkruajë, Vuçiq thotë se Kurti çdo herë sjell një letër që askush nuk do ta nënshkruajë.
Ai thotë se ka bërë deklaratë paqeje, thjesht harron të thotë se deklaratën mund ta nënshkruajnë vetëm shtetet sovrane dhe të pavarura dhe nëse dikush e nënshkruan do të thotë se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thekson ai.
Siç thotë ai, këto janë marifetet e Kurtit që të duket se Serbia është kundër paqes.
“Ai thotë një deklaratë paqeje dhe kjo tingëllon bukur. Serbia nuk është kundër paqes, ndryshe nga ai. por nuk do ta njohin Kosovën e pavarur. Me keto marifete i del gjate gjithe dites, nuk e di me ke mund te kete sukses. Ai mendon se ne jemi kalimtarë naivë që mund t'i mashtrojë, por nuk mundet”, tha Vuçiq.
Ndryshe, ai beson se samiti në kuadër të procesit të Berlinit, i cili u mbajt dje në Tiranë, ka shkuar mirë.
“Ana Brnabiq veproi me mençuri, ajo nuk donte të luftonte me çdo kusht, jo se nuk donte, por se kishte gjykuar mirë. Të tjerët erdhën të luftojnë kundër Serbisë, por ne nuk e bëjmë këtë. Edhe sot kur flasim për masat ndaj Prishtinës, as nuk dua të gëzohem e as të komentoj dhe ata jetojnë që Beogradi të dënohet. Kjo i tregon edhe partnerëve ndërkombëtarë me kë kanë të bëjnë”, tha Vuçiq.
0 komentet