Vuçiq me senatorët amerikanë: Zgjidhja për BKS është ekskluzivisht sipas Marrëveshjes së Brukselit
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takua sot me senatorët amerikanë Kris Mafri dhe Gari Piters dhe gjatë bisedës theksoi se prioritet për Beogradin është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit.
Vuçiq ka deklaruar në llogarinë e tij në Instagram “buducnostsrbijeav” se ka pasur një bisedë të hapur me senatorët amerikanë dhe se i ka falënderuar për angazhimin e tyre në mbështetjen e dialogut me Prishtinën.
“E theksova se prioritet është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe se do të vazhdojmë të insistojmë në zbatimin ekskluziv të vendimit për BKS siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit”, theksoi presidenti.
Ai shton se kanë biseduar edhe për shumë çështje të tjera me interes për të dy vendet, si dhe se ka ripërsëritur vendosmërinë e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Siç thuhet në komunikatën e Shërbimit për Bashkëpunim me Media, Vuçiq theksoi veçanërisht se Beogradi ka treguar seriozitet dhe përgjegjësi në procesin e dialogut që nga fillimi, pavarësisht provokimeve të vazhdueshme dhe lëvizjeve të shumta të njëanshme të Prishtinës, të cilat pengojnë gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi dhe të qëndrueshme.
Duke folur për situatën aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë në botë, Vuçiq përsëriti se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj një politike të qëndrueshme të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore, si dhe respektimit të parimeve të integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror.
“Vuçiq shtoi se ruajtja e stabilitetit në rajon, një agjendë pozitive dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat në Serbi janë me interes kyç, dhe veçanërisht në fushën e ekonomisë, ku Serbia, përmes iniciativave të tilla si “Ballkani i Hapur”, promovon në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse një politikë të orientuar drejt së ardhmes, duke vënë theksin në bashkëpunimin me përfitim reciprok”, shtohet në njoftimin.
0 komentet