Vuçiq me Sorensen: Formimi i BKS-së është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është takuar sot në Beograd me të dërguarin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen.
Vuçiq ka deklaruar se ka pasur një takim të parë të hapur dhe korrekt me Sorensen.
“E njoha me problemet me të cilat ballafaqohet populli ynë në Kosovë e Metohi. Shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe Metohi për shkak të lëvizjeve të shumta të përshkallëzuara, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës. Kam vënë në dukje edhe pengesat e vazhdueshme që Prishtina po i bën në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, pas 12 viteve të refuzimit të Prishtinës për ta përmbushur atë obligim, është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”, ka thënë Vuçiq në Instagram dhe ka shtuar.
"Theksova pritjen se BE-ja do të rrisë angazhimin e saj dhe do të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces. Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor", tha Vuçiq.
Vizita e Sorensenit në Beograd erdhi pasi i dërguari special i BE-së vizitoi Prishtinën javën e kaluar.
0 komentet