Vuçiq me Tenin: Faleminderit SHBA-ve për për kritikat e guximshme ndaj lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës

Vučić i Teni
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka dekoruar bashkëkryetaren e kokusit serb në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Klaudia Teni, me Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së parë.

Me këtë rast, Vuçiq theksoi se sot me krenari mund të konstatohet se dinamika pozitive e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës hap mundësi të reja me perspektivën e zhvillimit të bashkëpunimit në kuadër të mekanizmit të dialogut strategjik, dhe se kjo veçanërisht ka të bëjë me periudhën pas fitores së presidentit amerikan Donald Trump në zgjedhjet në SHBA.

Ai theksoi se Serbia prej pothuajse dy dekadash po lufton me të gjitha mjetet diplomatike për ruajtjen e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, dhe se është plotësisht e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës dhe Metohisë, duke respektuar plotësisht parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutën juridikisht detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

„E çmojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen e SHBA-ve për rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, që përbën një nga qëllimet strategjike të vendit tonë. Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja juaj e vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut, pavarësisht të gjitha dallimeve tona për këtë çështje të rëndësishme për Serbinë. Ju falënderoj veçanërisht për mirëkuptimin që tregoni për nevojën që të respektohen të drejtat e serbëve dhe të popullsisë tjetër jo-shqiptare në Kosovë dhe Metohi, si dhe për kritikat tuaja të guximshme ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës, kur këto të drejta janë shkelur në mënyrë të njëanshme“, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë theksoi se Teni gjithmonë ka ruajtur, kultivuar dhe ushqyer miqësinë ndaj Serbisë sonë

„Jemi pafundësisht mirënjohës për këtë. Dëshirojmë që të ndiheni këtu në Serbi si në shtëpinë tuaj. Prandaj, është një nder i madh për mua që t’ju dorëzoj dekoratën për merita të veçanta në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së parë. Ju faleminderit shumë për gjithçka që keni bërë për miqësinë tonë“, theksoi Vuçiq.

Ai kujtoi historinë gati një shekull e gjysmë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, që datojnë që nga viti 1881.

 

„Duke pasur parasysh jetëgjatësinë e tyre dhe aleancën nëpër historinë tonë, jemi të përkushtuar që këto lidhje t’i forcojmë edhe në të ardhmen. Bashkëpunimi i vendeve tona gjatë historisë është karakterizuar, para së gjithash, nga lufta për vlera të përbashkëta, të cilave u kemi aspiruar në ato kohëra sfiduese. Dhe pikërisht gjatë konflikteve botërore qëndruam së bashku, krah për krah, në anën e duhur të historisë. Një shembull i ndritshëm i guximit dhe përkushtimit është edhe operacioni për shpëtimin e pilotëve amerikanë në fshatin Pranjani gjatë operacionit Halyard, një nga misionet më të suksesshme të shpëtimit në Luftën e Dytë Botërore, përvjetorin e 80-të të së cilës e kemi shënuar së bashku vitin e kaluar“, tha Vuçiq.

Presidenti shtoi se një moment i rëndësishëm në zhvillimin e dialogut bilateral është bashkëpunimi dhe dialogu i rregullt me anëtarët e Kongresit Amerikan, në të cilin, siç kujtoi ai, që nga viti 2004 është aktiv kokusi serb, ku Teni është bashkëkryetare.