Vuçiq: Sërbia nuk do t’i shërbejë askujt pavarësisht presioneve të shumta nga anë të ndryshme

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se është arritur niveli rekord i investimeve të huaja direkte sikurse dhe FMN konfirmoi dispozitivin e ri duke theksuar që këto dy gjëra të rëndësishme për vendin vijnë në momentet e presioneve të mëdha të cilat vijnë nga anë të ndryshme në tentativë për të rrënuar Sërbinë. Ai tha se Sërbia nuk do t’i shërbejë askujt.

“Popull i dashur, kemi marrë sot dy informacione të mira. E para është se kemi superuar vitin 2023 për sa i përket investimeve të huaja direkte çka ishte rekord. Pra ky vit 2024, është viti më i mirë për ne në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja direkte, tashmë më 10 dhjetor. Do të kemi më shumë investime në 20 ditët e ardhshme” ka thënë Vuçiq në videomesazh në Instagram.

Gjithashtu ka thënë se Sërbia ka marrë konfirmimin për gjithçka që është bërë nga ana e FMN pra dispozitivin e ri për tre vitet e ardhshme, si dhe konfirmimin shtesë të gjithçkaje që është bërë për të siguruar vlerësim kreditor për investime.

“Dhe këtë po e them në momentin që nuk është e lehtë për vendin tonë, kur jemi nën presion nga anë të ndryshme, kur me të gjitha mjetet e mundshme hibride tentojnë të shembin Sërbinë duke sulmuar një vend të lirë dhe sovran. Në të tilla momente, marrja e lajmeve të tilla, ndërtimi i shinave hekurudhore dhe rrugëve është diçka e veçantë dhe për këtë jam veçanërisht krenar” shtoi Vuçiq.

Ky i fundit bëri të ditur se në ditët pasuese do të informojë se sa të holla kanë hyrë në vend të destinuara për të shembur Sërbinë.

“Atyre që mendojnë për të shembur Sërbinë dëshiroj veçse t’u them se sa herë që mendojnë se mund të fshehin se sa shumë e urrejnë këtë vend, do t’iu zbulojmë gjithçka me detaje sesa të holla janë paguar në ditët dhe javët që vijnë. Të detajuara sesa të holla janë paguar në katër vitet e fundit për shkatërrimin e Sërbisë. Sa paguhet që Sërbia të mos jetë e lirë dhe e pavarur, të mos marrë e vetme vendime, të mos zgjedhë të ardhmen e vet, por të dëgjojë dhe t'i shërbejë dikujt tjetër. Ndërsa unë u them të gjithë atyre që përpiqen t’a shkatërrojnë Sërbinë-nuk do t'i shërbejmë askujt” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit nënvizoi dhe se nuk është (Bashar al) Asadi dhe se nuk do t’ia mbathë nga Sërbia. “Jam i gjallë dhe tërë jetës jetoj këtu në Sërbi. I jam mirënjohës Sërbisë sime dhe do të qëndroj këtu. Këtu është vendi im nga ku dhe do t’a mbyll. Do të luftoj për Sërbinë dhe do t’i shërbej vetëm asaj, popullit sërb dhe të gjithë qytetarëve të Sërbisë, asnjëherë të huajve, asnjëherë atyre që duan të mposhtin, poshtërojnë dhe shembin Sërbinë. Shpresoj që më keni mirëkuptuar. Jam kaq i vendosur dhe i sigurt për këtë çka ju flas, që t’ju garantoj se kurrë nuk do t’a mposhtni Sërbinë! Rroftë Sërbia!”, përmbylli presidenti Vuçiq.