Vuçiq: SHBA i vendos sanksione NIS, po kërkohet largimi i plotë i interesave ruse nga kompania
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq konfirmoi se SHBA i vendosën sanksione Industrisë së Naftës së Sërbisë (NIS), më e rënda për një kompani në Sërbi, duke thënë se po kërkohet largimi i plotë i interesave ruse tek kompania. Ai tha se interesat shtetërore do të mbrohen me çdo çmim.
“Fjala është për sanksionet më të rënda që godasin një kompani në Sërbi. Po kërkohet largim i plotë i interesave ruse nga “NIS Novi Sad“ a.d. Sipas asaj që shikojmë, qëndron fjala ’heqje’ dhe jo ’zëvendësim’. Nuk lejojnë as 49% apo më pak të pjesës së kapitalit rus, por largim tërësor i tij” sqaroi Vuçiq.
Ky i fundit tha se NIS mund të vijojë rregullisht të operojë por me planin e transformimit të pronësisë duhet të fillojmë menjëherë dhe ajo duhet të pranohet nga ana e Shteteve të Bashkuara.
“Për të gjitha operacionet kemi 45 ditë kohë, pra deri më 25 shkurt. Deri atëherë duhet të përfundojmë gjithçka me Rusinë, kemi hapësirë deri më 12 mars për shtyrje të një transaksioni financiar, por që kjo duhet të pranohet nga Ministria e Financave të SHBA. Me përfundimin e kësaj periudhe, do të vendosen sanksione të plota” ka thënë presidenti i Sërbisë.
Vuçiq duke i’u drejtuar publikut, theksoi se Sërbia nuk ka kontribuar aspak në vendosjen e sanksioneve ndaj NIS.
“Ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë mënyrë në konfliktet e të mëdhenjve, jemi ruajtur nga kjo, kemi qëndruar larg çdo gjëje, nuk kemi qëndruar në hijen e askujt. Por përballemi me sanksione të rënda dhe serioze”, theksoi presidenti i Sërbisë duke shtuar se nuk dëshiron t’u fshehë asgjë qytetarëve ndaj doli publikisht me të gjitha informacionet që mori për mundësinë e vendosjes së sanksioneve.
Ai shtoi se shumë gjëra janë ende të paqarta për Sërbinë, e rreth kësaj do të bisedojë me zyrtarët amerikanë me të cilët do të takohet nesër në Beograd.
“Ajo çka nuk shikohet në deklaratën e Ministrisë amerikane të Financave është si më poshtë. Fjala është për sanksione mjaft të rënda që ndodhen të bazuara në dy ligje, një vendim nga administrata e Barak Obamës të vitit 2014 dhe tjetra nga vendimi i administratës së Xhozef Bajdenit të vitit 2021. Këto janë bërë që do të jetë e pamundur që t’i shmangesh sanksioneve” ka thënë presidenti i Sërbisë.
Ky i fundit kujtoi se Qeveria e Sërbisë shiti NIS tek Gazprom Njeft në vitin 2008.
“Presidenti i Sërbisë Boris Tadiq, kryeministri Vojisllav Koshtunica morën vendimin që një nga ndërmarjet më të rëndësishme publike t’ia lëshojnë Gazpromit me tarifë të leverdisshme. Në 16 vitet e fundit NIS ka kontribuar mjaft si në buxhet ashtu dhe në projektet zhvilluese të Sërbisë” sqaroi Vuçiq.
Ky i fundit theksoi se SHBA sot disa ditë para ndryshimit të pushtetit në këtë vend, i vendosi sanksione NIS.
“Nuk kanë për qëllim Sërbinë, të paktën kështu thonë, nuk është se është objektiv për amerikanët, as dhe vetëm NIS, por është fjala për sulm gjithëpërfshirës ndaj kompanive ruse që jo vetëm zotërojnë tubacionet e naftës dhe rafineritë, por edhe të gjitha kompanitë që janë të lidhura, janë objektivi i këtyre sanksioneve” ka thënë presidenti.
Ky i fundit shtoi se sipas të dhënave që ka, Britania e Madhe jo më shumë sesa e hëna do t’i bashkohet sanksioneve të SHBA por dhe pjesa më e madhe e vendeve europiane.
“Kompanitë europiane nuk dëshirojnë që të rrezikojnë pasi sanksionet janë mjaft të rënda ndaj atyre që i shkelin ato”, konstaton Vuçiq.
Ky i fundit tha se Sërbia nuk është vend armiqësor i Rusisë dhe se nuk dëshiron marrjen e kompanisë armiqësisht. Njoftoi se do të ketë bisedime me presidentin rus, përfaqësuesit kinezë dhe përfaqësuesit e SHBA.
Ai tha se qytetarët e Sërbisë nuk duhet në asnjë mënyrë që të reagojnë të panikosur ashtu sikurse as qeveria nuk do t’a bëjë.
“Do të reagojmë përgjegjshmërisht, seriozisht dhe zellshmërisht dhe askund nuk do të nxitojmë të marrim vendime të gabuara” ka thënë Vuçiq.
Ky i fundit theksoi se Sërbia do të mbrojë interesat shtetërore me çdo çmim.
Theksoi se nuk do të ketë asnjë lloj mungese.
“Me ndihmën tuaj do të fitojmë dhe kësaj here dhe Sërbia dhe këtë vit do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike” konkludoi Vuçiq.
0 komentet