Vuçiq: Takimi nuk ka qenë i suksesshëm, Kurti nuk e ka pranuar propozimin e BE-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve në Bruksel ka deklaruar se bisedimet kanë qenë të pasuksesshme në drejtim të gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka dashur të pranojë propozimin e BE-së.
“Ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së, Kurti nuk ka dashur dhe takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve në Bruksel pas takimit.
Siç tha ai, nuk ka pasur shumë situata të këndshme, ka pasur më të pakëndshme, që është logjike sepse, siç thotë, secili lufton për të vetën.
“Është e qartë se Kurti po i shmanget formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, Serbia nuk po ikën nga obligimet e saj, BE tha se cili është plani, ne e pranuam, Kurti nuk deshi”, tha Vuçiq, duke shtuar se së shpejti do të ketë një konfirmim nga BE për të gjitha këto.
Ai shtoi se që nga ardhja e Kurtit në pushtet ka pasur një rritje të incidenteve etnike dhe se vetëm në dy muajt e fundit janë regjistruar 50 për qind më shumë incidente etnike sesa në kohët më të këqija të kujtdo tjetër në pushtet në Prishtinë.
“Ne e theksuam këtë dhe është e qartë se nuk do ta kalojmë lehtë”, tha Vuçiq.
Vuçiq u tha gazetarëve se në bisedën e sotme ka paraqitur informacionin se që nga takimi i fundit në Bruksel janë regjistruar 22 lëvizje përshkallëzuese të Prishtinës.
“I kemi pasur edhe sot në Zveçan. Ata edhe sot i frikësuan dhe provokuan serbët atje dhe kur e kuptuan se unë e thashë këtë në takim, tërhoqën njerëzit. Por kjo ndodh çdo ditë”, tha Vuçiq.
Vuçiq vuri në dukje se Serbia u përpoq shumë, ishte një partner konstruktiv, serioz dhe i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare.
Vuçiq shtoi se propozim i kompromisit i BE-së, i cili ishte në agjendën e takimeve, nënkupton para së gjithash formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
"Të shohim nëse ka ndonjë besueshmëri ndaj procesit apo jo. Nëse konstatojmë se po shkojmë drejt BKS-së, do të fillojmë të punojmë paralelisht me obligimet tona", shpjegoi Vuçiq.
Fatkeqësisht, përsërit ai, pala tjetër nuk e ka pranuar.
Ata kanë biseduar edhe për situatën në veri të Kosovës, thotë ai, dhe theksoi se sa shumë pengohet procesi i vendosjes së marrëdhënieve pragmatike, racionale nga ngacmimet, keqtrajtimi, mbajtja e serbëve në paraburgim.
“E kemi ngritur edhe çështjen e shpronësimeve, shpronësimeve të paligjshme, dëbimit të serbëve nga institucionet e tyre, vendet ku ata punojnë... Nuk besoj se është bërë ndonjë përparim, përveç se Kurti do të duhet t'i përgjigjet letrës së bardhë të BE-së. Ne folëm për të dyja gjërat dhe ky është rezultati”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse ai propozim nënkupton afate, Vuçiq thotë se nënkupton se duhet bërë paralelisht dhe shton se edhe BE e di dhe dëshiron të shkojë e para me formimin e BKS-së.
“Thelbi është se Prishtina nuk dëshiron. Kur e pyesni Kurtin nëse dëshiron të pranojë formimin e BKS-së, ai kurrë nuk jep një përgjigje pozitive. Ai thotë “do nëse 21 nga 22 pikat nuk vlejnë, do nëse nuk ka autoritet ekzekutiv”. Por ne kemi marrëveshjet të nënshkrauara nga viti 2013 dhe 2015. Kjo nuk ka të bëjë me atë se çfarë i pëlqen dikujt dhe çfarë nuk i pëlqen. BE thotë të bëjmë një kompromis, thashë jam gati të bisedojmë, edhe pse është shumë e vështirë për ne, por Kurti e refuzoi”, ka përsëritur Vuçiq.
Siç thotë, ai nuk është i kënaqur me këtë zhvillim të situatës, sepse kjo vetëm sjell probleme.
Ai gjithashtu thekson se BE së shpejti do të dalë me një qëndrim edhe më të qartë se ai, sepse, siç thotë, ai përpiqet të jetë gjithmonë korrekt.
“Kjo është sepse besoj se paqja është në interesin më të mirë të serbëve dhe shqiptarëve dhe besoj se është diçka me të cilën askush nuk duhet të luajë. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje në të ardhmen, interesi ynë më i madh është paqja", theksoi presidenti i Serbisë.
komentet